Ëndrra e realizuar, Ronaldo dhe Shqipëria: Rrëfehet “hungarezi” Uzuni

schedule20:09 - 30 Shtator, 2020

schedule 20:09 - 30 Shtator, 2020

Myrto Uzuni realizoi një ëndërr dhe do ketë mundësinë të luajë në grupet e Champions League me Ferencvaros. I rritur në rrugët e lagjes Uznovë në Berat, sulmuesi ka arritur t’i ngjitë shkallët e karrierës një e nga një, duke luajtur në Superiore, më pas në Kroaci ku u rendit i dyti sezonin e shkuar me Lokomotivën e Zagrebit dhe tani luan me kampionët e Hungarisë.

Uzuni ka fituar edhe një vend në kombëtaren shqiptare, ndërkohë që objektivat e tij janë të shumta, sikurse edhe emocionet pas kualifikimit në Champions League. Në një intervistë për abcnews.al, Uzuni flet për mesazhet që mori mbrëmjen e djeshme, kur skuadra e tij barazoi me Molde dhe festoi rikthimin në grupet e Champions pas 25 vitesh.

 

Myrto ka edhe një dëshirë, që goglat t’i rezervojnë si kundërshtar Juventusin dhe të ketë mundësinë të takojë Cristiano Ronaldon. Në fund pse jo edhe të ndërrojë fanellën me të dhe t’u tregojë të gjithëve se me punë arrihet çdo gjë. Vetë Uzuni ka arritur shumë dhe synon akoma më shumë, sikurse edhe shprehet në intervistën e mëposhtme.

Myrto, si ndiheni që do provoni Champions League tani?
– Sigurisht është një arritje e madhe për mua dhe një ndjesi shumë e bukur. Është një ëndërr për çdo futbollist dhe jam i lumtur që do të luaj në këtë kompeticioni, ku mund të matësh forcat me më të mirët.

 

Mund të na tregoni ndonjë mesazh të veçantë që keni marrë pas ndeshjes me Molde?
– Kam marrë urime nga gjithë njerëzit e mi të afërt dhe ata që më kanë ndihmuar dhe qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe. Kanë qenë mesazhe mbështetjeje për këtë eksperiencë të re dhe urime. Dua t’i falënderoj të gjithë për përkrahjen e përhershme që më kanë dhënë.

Sapo shkuat tek Ferencvarosh dhe ishit menjëherë deçiziv. Si ndihen për këtë?
– Sapo mbërrita në këtë klub mësova se objektivi i tyre ishte arritja e fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Kjo shtoi pak presionin edhe tek unë, por fatmirësisht kjo ndikoi për mirë dhe ia dola të ndihmoj ekipin në këtë arritje historike.

 

Cilat janë objektivat e klubit këtë sezon?
– Ajo që kanë parësore në këtë klub është që të synojmë fitoren në çdo sfidë. Objektivi i parë u arrit mbrëmë, tashmë do të synojmë titullin në Hungari dhe sigurisht një ecuri sa më pozitive në Ligën e Kampioneve.

– Pasi keni luajtur në Shqipëri e Kroaci, a është Hungaria vendi i duhur për t’u shpallur kampion?
– Janë skuadra kampione në fuqi dhe ekziston një mentalitet fituesi këtu. Kjo më pëlqen. Do më pëlqente që në fund të shpalleshim kampionë të Hungarisë.

Budapesti është një ndër qytetet më të bukur evropian. E keni vizituar? Ju ka pëlqyer?
– Sigurisht, mund të them se është qyteti më i bukur ku kam qenë. Më pëlqen shumë ky qytet dhe jam ndjerë shumë i mirëpritur. Në  këtë periudhë kam qenë shumë i angazhuar me skuadrën, por do të kem shumë për të zbuluar nga ky qytet.

A prisni që ky sezon të jetë trampolina për një kampionat më të rëndësishëm dhe sa ju ndihmon pjesëmarrja në Champions?
– Unë kërkoj të jap dhe të marr më të mirën në çdo sezon. Të njëjtën gjë do të bëj edhe këtë herë. Do të jem i fokusuar te objektivat e skuadrës, do vazhdoj të punoj fort, sikurse kam bërë përherë dhe të shënoj sa më shumë gola. Championsi është avantazh më vete, pasi është kompeticioni më i bukur ku marr pjesë.

 

Cilat janë objektivat tuaja me klubin dhe kombëtaren?
– Të vihem në shërbim të ekipit dhe të ndihmoj në arritjen e objektivave. Dua titullin dhe një prezantim sa më pozitiv me klubin në Champions, si dhe vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve me Shqipërinë. Edhe sigurisht, duke qenë një sulmues, të shënoj sa më shumë për të ndihmuar skuadrat në këto objektiva.

Keni shumë për të arritur, por kur shikoni sa keni ecur deri më tani, çfarë ju vjen nëpër mendje?
– Ka qenë motivimi im, sepse gjithmonë kam punuar duke ditur nga vija dhe çfarë doja të arrija. Por nuk ka përfunduar këtu, pasi qëllimi im është të vazhdoj të punoj shumëfish më shumë për të arritur edhe më lart dhe për të mos u kthyer më në jetën e dikurshme.

Shkruhet shumë për ju në media, për faktin që e keni arritur gjithçka me punë. Si ndiheni kur mendoni se historia juaj është burim frymëzimi për të rinjtë?
– Sigurisht që kam folur dhe kam lexuar shumë në media për këtë. Më bëhet qejfi nëse për këtë arsye bëhem shembull për të tjerët. Madje do t’ua sugjeroja të gjithëve që, nëse duan ta realizojnë ëndrrën e tyre, duhet të punojnë dhe të luftojnë për të.

– Për ta mbyllur Myrto. Në fazën e grupeve ke shokë të kombëtares dhe idhullin tuaj, Cristiano Ronaldon. Ke ndonjë ekip që do preferoje ta kishe përballë?
– Normalisht që Juventusi dhe nuk kam aspak dyshime. / Elton Çela/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!