Ditë speciale në familjen Inzaghi. Lazio e Simones fitoi 0-2 në Sardenjë ndaj Cagliarit, teksa triumfoi 2-3 jashtë fushe edhe Benevento e Superpippos. Sukses fantastik për “Shtrigat”, që sapo janë rikthyer në elitën e futbollit italian.
Simone Inzaghi preku disa tema të ndryshme në konferencën për shtypin, duke u ndalur te triumfi ndaj Cagliarit, lojtarët që ka në dispozicion, rinovimi i kontratës, elozhet për vëllanë më të madh dhe gëzimin e madh të prindërve.
“Jam shumë i lumtur për djemtë, janë stërvitur me shpirtin e duhur gjatë kësaj kohe. E dinim që do të luanim një ndeshje të madhe në një fushë të komplikuar. Kemi vlera të mëdha, kjo skuadër po më dhuron emocione të shumta prej 4 vitesh.
Djemtë janë shumë të lidhur me fanellën dhe nuk befasohem nga suksesi i sotëm. I kemi lënë pas krahëve problemet që na u shfaqën në post-pandemi. Tani jemi më mirë dhe kam mundësi për të bërë rrotacion në skuadër.
Pse po mungon rinovimi? Presidenti Lotito është shumë i impenjuar, por do e gjejë kohën edhe në lidhje me këtë çështje. Atalanta? Jemi gati për duelin e radhës, këto ditë duhet t’i shfrytëzojmë për t’u rikuperuar fizikisht sa më mirë.
Dua t’i bëj komplimente edhe Pippos për fitoren e sotme. Jam i lumtur për të, meriton gjithçka për pasionin dhe përkushtimin që ka. Kishte një ndeshje më të vështirë se unë. Telefonova prindërit pas ndeshjes dhe babai po qante nga gëzimi“, deklaron Simone Inzaghi. /abcnews.al