Kryeministri i mandatuar i Italisë, Giuseppe Conte, ka zhvilluar të enjten një sërë takimesh për emrat e ministrave. Mediat italiane bëjnë të ditur se procesi i përzgjedhjes ka gjasa të mbarojë të shtunën dhe të dielën ekzekutivi i ri të bëjë betimin tek Presidenti.
Kryeministri i mandatuar i Italisë, Giuseppe Conte, ka zhvilluar të enjten konsultime me grupet parlamentare për formimin e qeverisë dhe programin e saj. Në përfundim të bisedimeve, Conte ka bërë me dije se ministrat që do t’i propozojë presidentit do të jenë politikanë që ndajnë të njëjtat objektiva me programin.
Sa i takon kohës që do të duhet për ngritjen e ekzekutivit, kryeministri ka deklaruar se do të shfrytëzojë ditët në vazhdim. Sipas mediave italiane, ai synon t’i japë zgjidhje çështjes brenda së shtunës, ndërkohë që betimi i ministrave mund të kalojë të dielën. Conte mori të mërkurën mandatin nga presidenti Mattarella dhe në fjalimin e tij të parë u zotua se do të jetë avokati i italianëve. Dhe në fakt, të enjten ai ka premtuar se do të mbështesë viktimat e mashtrimeve bankare.
“Mbrojtja e kursimeve të tyre do të jetë një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie. Kush ka rënë pre e mashtrimit do të dëmshpërblehet”, ka thënë Conte.
Ndërkohë, liderët politikë që e propozuan atë kanë rishprehur besimin tek figura e tij.
“Është njeriu i duhur për biznesmenët, për punëtorët dhe për kë nuk ka një punë. Duhet t’u përgjigjemi pritshmërive të qytetarëve dhe është koha të fillojmë nga puna”, ka thënë Luigi di Maio, kryetar i Lëvizjes 5 Yjet.
Ndërsa përfaqësuesi tjetër i koalicionit qeverisës, Matteo Salvini ka nënvizuar se përzgjedhja e ministrave do të jetë ekskluzivitet i zotit Conte.
“Do t’ia lëmë atij barrën dhe nderin që të propozojë emrat e atyre që do të marrin përsipër realizimin e programit tonë”, ka thënë Salvini./abcnews.al