Deri në fund të muajit Maj zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të SHBA do të vizitojnë Shqipërinë. Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për zgjerimin dhe çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman gjatë ditës është takuar me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës.
Edi Rama: “Ne nuk do të mbetemi në fund me derën e përplasur në fytyrë. Ministri i Jashtëm do shkojë në Paris përsëri. Unë do shkoj në Paris prapë, edhe prapë. Në Berlin po ashtu”.
Por para se kryeministri Edi Rama dhe ministri Ditmir Bushati të nisen për udhëtim deri në fund të muajit, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian do të vizitojnë Shqipërinë. I pari është Florian Hahn, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për zgjerimin dhe çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman.
Ai është takuar me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Kreu i shtetit theksoi se çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian gjatë Këshillit të Qershorit do të ishte qasja më e mirë strategjike për vendin dhe për BE-në, duke patur parasysh se Shqipëria i ka shumë të qarta sfidat që duhet të kapërcejë për përparimin në hapat e mëtejshëm të procesit.
Në përgjigje të interesit mbi reformën në gjyqësor, Presidenti Meta vuri në dukje se procesi i Vettingut duhet të nxjerrë më shumë në pah vlerësimin mbi nivelin e profesionalizmit dhe cilësinë e vendimeve gjyqësore, të cilat janë kyç për besueshmërinë e publikut tek institucionet e drejtësisë.
Në takimin me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeparlamentari vuri në dukje se qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë e mirëpresin vendimin për çeljen e negociatave në Qershor dhe e vlerësojnë këtë si një shtysë për të rritur përgjegjësinë dhe angazhimin për hapat e mëtejshëm të përmbushjes së kritereve për të qenë anëtarë të denjë të familjes europiane.
Deputeti Hahn nënvizoi se vendimi për çeljen e negociatave në mbledhjen e Qershorit, i shoqëruar nga kushte të qarta, është vendimi i duhur që duhet të merret për Shqipërinë. Kjo do të lehtësonte punën dhe përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për integrimin europian dhe progresin e vendit. Këtë vlerësim, Hahn e bëri edhe në emër të grupimit politik që përfaqëson për çeljen e negociatave më Shqipërinë.
Zëdhënësi për Evropën në grupin parlamentar të CSU në Bundestagun gjerman, është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ish-ministren Majlinda Bregu, e zgjedhur në krye të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, si dhe me anëtarët e organeve të Vettingut.
Pas vizitës së Hahn, të shtunën një tjetër zyrtar i huaj do ta vizitojë Shqipërinë, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Pit Maroço, i cili do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me përfaqësues të lartë nga vende të Evropës Juglindore dhe të rajonit për problematikën e sigurisë rajonale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Të shtunën vendin tonë do ta vizitojë edhe një delegacion i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, i cili do të zhvillojë takime me drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe kryetarët e partive opozitare. Më 29 Maj, do të jetë Sekretari i Përgjithshem i OSBE-së që do të vijë në Shqipëri për t’u takuar me drejtuesit më të lartë të qeverisë dhe opozitës./abcnews.al