Aleatët për protestën: Të tregojmë se ka ende gjak në trupin e këtij populli

schedule16:17 - 24 Maj, 2018

schedule 16:17 - 24 Maj, 2018

Opozita vijon thirrjen e saj për protestën e cila pritet të mbahet ditën e shtunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrjen “Xhafaj ik”. Për aleatët e Partisë Demokratike, protesta pritet të jetë masive dhe të japë një mesazh të qartë të ndërgjegjes qytetare.

Të shtunën e 26 Majit, Partia Demokratike në emër të opozitës së bashkuar ka thirrur në protestë mbarë kombëtare qytetarët kundër asaj që quajnë lidhje të pandashme të kësaj qeverie me krimin. Për aleatët e demokratëve në këtë betejë, protesta nuk ka qëllim rrotacionin politik, por shprehjen e një qëndrese qytetare ndaj drejtësisë së shpërfytyruar.

Dashamir Shehi: “Kjo protestë nuk bëhet as për të ardhur Basha në pushtet, as ndonjë tjetër. Bëhet për t’i thënë ndal këtij shteti të dhunshëm që s’po bën asnjë gjë për jetën e qytetarëve, as për ekonominë, as për institucionet shtetërore. Që bën gjithë ditën propagandë edhe gjatë natës shet drogë. Kjo është e turpshme edhe ne nuk kemi qenë ndonjëherë ndonjë shtet perfekt, por nuk kishim arritur asnjëherë në nivele kaq të ulëta. U themi të vijnë, të protestojnë! Jo të gjithëve u pëlqejmë ne, ose ata që na drejtojnë ne, por të gjithë e kuptojnë që këtu është tejkaluar, është shkelur vija e kuqe”.

Dashamir Shehi pjesëmarrjen qytetare e sheh deçizive për t’i thënë ndal asaj që quan grabitje të pasurisë kombëtare dhe dhunim të qytetarit të thjeshtë.

Dashamir Shehi: “Në radhë të parë i drejtohem qytetarëve të Tiranës që janë ndërgjegja e Shqipërisë. Dilni jo për ne, por për fëmijët tuaj që mos rriten në një botë llumi. Askush s’ka për të ardhur, do vijë një klimë më e mirë për punë dhe drejtësi dhe le të vendosin me votën e tyre”.

Motor i protestës së 26 Majit duhet të bëhen qytetarët jo-partiak thekson Shehi, reagimi i të cilëve vjen për çka ndodh, jo çfarë do vij pas.

Dashamir Shehi: “Të jenë prezent. Nuk ka nevojë as flamuj partish, as se kujt partie janë. Edhe unë vetë nuk është se kam shumë besim te partitë. Por besoj që reagimi qytetar është shenja më e qëndrueshme që në trup të këtij kombi, të këtij populli ka akoma gjak”.

Edhe aleati Fatmir Mediu konfirmon angazhimin e republikanëve për protestën e së shtunës edhe pse angazhimi organizativ për takimin e “Mëngjesit të Lutjeve” për Europën Juglindore, i pamundëson pjesëmarrjen fizike.

Fatmir Mediu: “Partia Republikane është në të gjithë punën e saj gjithë këto kohë bashkë me opozitën është angazhuar që të ketë një pjesëmarrje masive në protestë. Personalisht për shkak të një angazhimi që kam sëbashku me një grup deputetësh me nivele të larta ndërkombëtarësh e kam të pamundur sepse jam në drejtimin e një seancë në orën 11:00”.

Me thirrjen “Xhafaj ik!” opozita organizon protestë të shtunën e 26 Majit në orën 11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!