Nga kalaja e Gjirokastrës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit u bëri apel të rinjve, që të aplikojnë në projektin “Smile Albania”. Mesazhin ministri e dha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit të parë kombëtar të fotove-Selfie në natyrë, ku morën pjesë 600 të rinj.
“Projekti Smile Albania është një projekt që do të shoqërojë të gjithë sezonin turistik, është një projekt të cilin ne e fokusojmë në paraqitjet e bukurisë së natyrës shqiptare por edhe në mikpritjen e turistëve që vijnë në vendin tonë, dhe prandaj mendoj që këto foto kaq të bukura, të 600 të rinjve dhe të reja që buzëqeshin, mund të jenë në fakt edhe thelbi i projektit tonë për të mikpritur turistët në Shqipëri me buzëqeshje”.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit deklaroi se “Smile Albania” do të angazhojë 1 mijë të rinj, të cilët do të promovojnë turizmin shqiptar në të gjitha pikat hyrëse dhe zonat turistike.
“Në kuadër të politikave të ministrisë përsa i përket biodiversitetit dhe posacërisht në zonat e mbrojtura, ne kemi më shumë për të realizuar pasi Shqipëria është një hambar i pazbuluar i këtyre veprave dhe bukurive natyrore dhe natyrisht Gjirokastra, vendi ku po organizojmë këtë aktivitet ka shumë e shumë për të treguar”.
Sipas ministrit Klosi rritja e forcës së ligjit dhe edukimit mjedisor, do ta shndërrojnë Shqipërinë në një destinacion turistik europian. Për këtë ministri i Mjedisit dhe Turizmit, theksoi se edukimi mjedisor duhet të përfshihet në kurrikulat shkollore.
“Duke rritur forcën e ligjit, por duke rritur edhe më shumë edukimin mjedisor dhe dashurinë e njerëzve, Shqipëria padyshim do të paraqitet si në fotot tuaja e mrekullueshme, e pastër e bukur dhe me shumë vecori e natyrisht e gatshme për të pritur turistë nga e gjithë bota si destinacion turistik europian”. /abcnews.al