Shkëndija e Tetovës mbyll sezonin në Maqedoni me titullin kampion

schedule13:59 - 21 Maj, 2018

schedule 13:59 - 21 Maj, 2018

Shkëndija e Tetovës mbyll sezonin në mënyrë triumfale duke fituar titullin kampion në Maqedoni. Skuadra e shqiptarëve e dominoi turneun dhe do të luajë tani në Champions.

Janë shqiptarët që festojnë në shtetin fqinj.

Ata janë sot zotër të futbollit të Maqedonisë pasi fituan titullin me Shkëndinë e Tetovës.

Përfaqësuesja më e denjë e pjesës së kombit që ndodhet në shtetin fqinj, mbylli një edicion që do të mbetet i paharruar, duke arritur një tjetër fitore, 4-0 ndaj Pelisterit të Manastirit, duke e dënuar këtë të fundit me zbritje në kategorinë e dytë.

Golat në përballjen e fundit ishin nga Armend Alimi, Stenjo Zhunior dhe dy herë nga Ferhat Hasani.

Ishte një sezon rekordesh me 91 pikë të fituara në 36 ndeshje, në të cilat u pësuan vetëm tri humbje, ndërsa u shënuan plot 101 gola, si asnjëherë më parë në Maqedoni.

Meritë e trajnerit Qatip Osmani si edhe e futbollistëve, mes të cilëve disa emra të njohur si Besart Ibraimi, kapiteni Ferhat Hasani, Stenjo Zhunior, nënkapiteni Ardian Cuculi apo ish-lojtari i Kukësit, Izair Emini.

Dy prej tyre, Hasani e Ibraimi u shpallën edhe shënuesit më të mirë Ligës së Parë të Maqedonisë, me nga 22 gola secili.

Klubi i shqiptarëve, i financuar nga kompania Ekolog me pronar Lazim Destanin e president Visar Bexhetin, po bëhet gjithnjë e më I njohur në Maqedoni.

Shkëndija ka 2 tituj kampion, 1 Kupë të shtetit dhe 1 Superkupë, ndërsa ka dalë disa herë nënkampion e në finalen e Kupës.

Tetovarët janë ende larg rekordmenëve të Vardarit, që kanë 10 tituj, por sidoqoftë janë shumë afër emrave të tjerë të suksesshëm si Rabotniçki me 4 kampionate, apo Sileksi e Slloga me nga 3.

Një kampionat e kanë fituar edhe shqiptarët ë tjerë, ata të Renovës së Xhepishtes që në vitin 2010.

Tashmë, pritet me interes të shikohet paraqitja e kuqezinjve në Ligën e Kampionëve, ku vetëm për pak nuk do të jetë në vazon e favoritëve.

Optimizmi është I madh pasi dy edicioneve të nivelit të lartë në Ligën e Europës, ku u kaluan të tre turet eleminatore, duke u ndalur vetëm në plej ofi nga skuadra të tilla si Milani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!