Autoritetet në Belgjikë kanë nisur hetimet mbi vrasjen e një emigranteje 2-vjeçare nga një plumb që dyshohet se u qëllua nga policia. Ndërkohë në vend janë ndezur polemika për shkak se fillimisht ngjarja u raportua si vdekje aksidentale.
Vdekja e një vajze 2-vjeçare në Belgjikë si pasojë e një reagimi me armë të policisë ka ndezur jo pak polemika. E mitura po udhëtonte në një furgon me rreth 30 emigrantë kurdë të cilët po ndiqeshin nga policia në jug të Belgjikës. Në vijim të ndjekjes, që nisi në një autostradë pranë qytetit Namur, policia hapi zjarr dhe një nga plumbat e zuri në fytyrë 2-vjeçaren. Mbi ngjarjen është hapur një hetim. Një zëdhënës i policisë ka deklaruar se nuk dihet ende nëse plumbi që i ka marrë jetën vogëlushes është qëlluar nga agjentët e policisë. Deklarata në fjalë ka ardhur një ditë pasi fillimisht u përfol se e mitura kishte humbur jetën si pasojë e një përplasjeje në kokë. Por prokurori i çështjes, Frederik BARISJË ka deklaruar se shkak i vdekjes ishte një plumb që i kishte hyrë fëmijës nga faqja. Mediat belge raportuan më herët se vajza, e cila ishte me të ëmën, ishte nxjerrë nga udhëtarët në një dritare të furgonit për të detyruar policinë të mos afrohej. Por hetuesit kanë deklaruar për BBC se nuk janë në gjendje të konfirmojnë këto të dhëna. Ndjekja e furgonit nisi jashtë qytetit Namur në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Mjeti udhëtoi drejt perëndimit për shumë kilometra, duke i shpëtuar policisë. Thuhet se në arrati e sipër ai u përplas me një makinë tjetër dhe më pas vajza është gjetur e vdekur. U deshën 15 makina policie dhe rreth 30 efektivë për t’i dhënë fund incidentit./abcnews.al