Specialistja për Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve në Pogradec, Etleva Memia, në një intervistë te “Abc-ja e Mëngjësit” ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në këtë qytet ku një 13 vjeçare është dhunuar seksualisht nga një 46 vjeçar.
Memia në fjalën e saj thekson se tashmë vajza është marrë në mbrojtje dhe është në gjendje të qëndrueshme psikologjike.
“Jam marrë me rastin që në momentin e parë që vajza ka marrë guximin për të denoncuar dhunën e saj fizike psikologjike dhe seksuale. Vajza tashmë është në gjendje të qëndrueshme dhe ka gjetur mbështjen e të gjithë institucioneve në Fier. Një ditë më parë njësia e mbrojtjes së të drejtave për fëmijët e dhunuar duke parë ndërhyrjen e familjarëve të dhunuesit për të tërhequr padinë tashmë është marrë në mbrojtje dhe është zhvendosur në një qendër mbrojtëse. Vajza është dhunuar për një periudhë prej dy muajsh.
LEXO EDHE: Abuzimet seksuale te të miturit, Tushi: Mëkatarët e parë dhe më të mëdhenj janë prindërit
Vajza ka deklaruar me datë dhe gjithçka atë që i ka ndodhur dhe si i ka ndodhur, vajza ka duruar dhe në të gjithë periudhën që në fund të korrikut e deri në momentin që ka bërë denoncimin ka qenë e dhunuar jo vetëm fizikisht dhe psikologjikisht, por është kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Zonja ka probleme me dëgjimin dhe të folurin por jo me të folurën, dhunimi i 13 vjeçares nuk është bërë në sy të saj. Ky person sipas informacioneve të marra ai ka qenë sundues në atë familje dhe e kanë pas të pamundur që të tjerët të flasin në prani të tij. Shpresoj se e gjithë kjo ngjarje të mos lërë gjurmë në jetën e adoleshentes”, është shprehur ajo.
Ndërkohë psikologia Redina Sultarova në bisedën e saj në studio me moderatorin Enkel Demi është shprehur se në abuzimin e kësaj 13 vjeçarje faji është i të gjithë shoqërisë për shkak të mungesës së informacionit seksual që ne u servirim fëmijëve.
Ndër të tjera ajo ka theksuar se një rol të rëndësishëm për shmangien e këtyre ngjarjeve ka mësuesi, pasi duhet të jenë të vëmendshëm dhe të dallojnë nga sjelljet fëmijët.
“Është e vështirë të përshkruhet se çfarë ndodh por kjo është një ngjarje që lë gjurmë. Nga informacione të ndryshme në portale kam konstatuar se ky është një person që ka abuzuar dhe me fëmijë të tjerë, por nëse një gjë e tillë është e vërtetë atëherë shoqëria jonë ka pjesën e saj të fajit.
Unë nuk mund të vë gishtin se kush është fajtor por të gjithë në këtë histori janë fajtorë, një mësues nuk duhet të jetë vetëm mësimdhënës, por duhet të njohë dhe anën psikologjike të fëmijës, dhe një mësues mund ta dallojë një nxënës që ka qenë pjesë e një ngjarje abuzimi, pasi një fëmijë i abuzuar ka sjellje ndryshe. Denoncimi i vajzës është një guxim që duhet të vlerësohet pasi abuzimet janë raste që denoncohen pas me shumë se 20 viteve, dhe një periudhë kaq e shkurtër që vajza ka reaguar kaq shpejt është për tu përgëzuar.
Nuk kemi asnjë informacion në lidhje me marrëdhënien që vajza ka me prindërit, nuk është normale që të vijë një bamirës papritur, por një prind nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë për të rritur fëmijën”, ka thënë psikologia.