Sofja prodhon dinamikë të re: Samiti i ardhshëm në 2020-n në Kroaci

schedule14:15 - 17 Maj, 2018

schedule 14:15 - 17 Maj, 2018

Në samitin e Sofjes mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor është krijuar një dinamikë e re. Disa vende kanë shprehur nevojën që samite të tilla të zhvillohen më shpesh për të afruar vendet e rajonit me Unionin.

Dinamika e samitit të Sofjes ka filluar të prodhojë frytet e saj. Mbështetësit më të fortë të zgjerimit janë vendet që kanë përjetuar transformimin e dukshëm të vendeve të tyre gjatë procesit të negociatave. Ndaj ata nuk hezitojnë t’a mbështesin fort zgjerimin. Madje, Kroacia ka insistuar që në konkkuzionet e deklaratës të përfshihet edhe samiti i ardhshëm për Ballkanin që do zhvillohet në 2020-n.

Andrej Plenkoviç: “Së pari, ne duhet të përshëndesim iniciativën e kryeministrit bullgar Bojko Borisov që organizoi këtë samit, pasi ky është samiti i parë pas 15 vjetësh për Ballkanin. Ka patur një samit në Kroaci në 2000, pastaj në Selanik në 2003. Pra, ka patur një hendek të këtij formati prej shumë shumë kohësh. Ndaj në konkluzionet e samitit është përfshirë, se unë si kryetar i Këshillit në vitin 2020 do të organizoj një samit me synimin për të krijuar një qasje sistemike jo vetëm për zgjerimin, por edhe për mbështetje konkrete për vendet e Ballkanit, në nënyrë që të përmbushen kriteret në bazë të meritës individuale dhe të plotësohet plani në kohën e duhur”.

Dalia Grybauskaité, presidente e Lituanisë: “Në teori, organizata e Bashkimit Europian është e hapur ndaj çdo vendi që ndan të njëjtat vlera europiane dhe është në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të  saj. Dhe sigurisht që ne përkrahim një rajon të Ballkanit Perëndimor në paqe dhe prosperitet”.

Leo Varadkar, Kryeministri i Irlandës: “Jam shumë i gëzuar që të jem sot në Bullgari për samitin e Ballkanit dhe të flas me disa nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit. Irlanda është një mbështeëse e fortë e procesit të zgjerimit. Ne kemi përfituar kaq shumë nga ky proçes dhe dëshirojmë që edhe pjesë të tjera të Europës të përfitojnë nga ky proces”

Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Dhe Zgjerimin: “Kemi krijuar një dinamikë të re në rajonit të Ballkanit, që ka ndikim pozitiv për avancimin e të gjithë vendeve. Strategjia e re ofron mundësi për të gjithë. Në këtë kuadër është në interesin e Kosovës, që të punojë për zgjidhjet dhe për një marrëveshje ligjore të detyrueshme. Konteksti aktual ka krijuar një momentum të ri dhe një motivim të ri për të dyja palët ( Serbinë dhe Kosovën) që të arrijnë një marrëveshje të re”.

Samiti pritet t’i japë shtysë projekteve konkrete të infrastrukturës, transportit, energjisë dhe dixhitalizimit, si edhe bashkëpunimit më tê fortë kundër terrorrizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit./abcnews.al