Italia zhvilloi një ndeshje të madhe në 7 shtator në Amsterdam dhe mposhti 0-1 Holandën vendase falë golit të interistit Barella. Mbrëmja fantastike e djemve të Roberto Mancinit u prish nga dëmtimi i rëndë i Nicolo Zaniolos.
Talenti i Romës këputi ligamentin e gjurit të majtë. Pak kohë më parë ishte rikuperuar nga një dëmtim në gjurin e djathtë, që e mbajti për rreth 6 muaj jashtë fushave të blerta.
I pafat 21-vjeçari ofensiv, i cili nuk do e ketë aspak të lehtë të kthehet lojtari që ishte. Lojtari italian i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën Gelenkpunkt në Insbruk të Austrisë.
Operacioni ka dalë më sukses dhe Zaniolo pritet të qëndrojë 6 muaj jashtë fushave të blerta. Një javë do të qëndrojë në Austri dhe më pas do të kthehet në Romë për të nisur fazën e rikuperimit. /abcnews.al