Boston Sëlltiks fitoi edhe ndeshjen e dytë finale të Konferencës Lindore në basketbollin amerikan. Kjo, pavarësisht se Lebron Xhejms pati një paraqitje madhështore.
Një lule nuk e sjell dot pranverën.
Kështu është fjala e urtë, dhe të paktën jo gjithnjë një superyll mund të fitojë i vetëm ndaj një skuadre.
Lebron Xhejms e ndjeu mirë këtë në Arenën e Bostonit, kur Klivlendi pësoi sërish humbje ndaj Sëlltiksave duke qenë në dizavantazh 0-2 me ndeshje në finalen e Konferencës Lindore të NBA-së.
Më i miri basketbollist në botë nuk e la aspak në baltë ekipin e tij, por shënoi plot 42 pikë, si dhe kapi 10 topa në tabela e shërbeu 12 asistë.
Një tripëll dabëll, që pati edhe një bllokim gjuajtjeje dhe peshë kosha për tri pikë.
Rrallë herë Lebroni ka qenë më mirë sesa mbrëmjen e fundit, por përsëri doli pak.
Klivlendi, nënkampion në fuqi, nuk iu përgjigj siç duhet udhëheqësit, dhe vetëm Kevin Lov pati një ndeshje pozitive, me 22 pikë e 15 topa në tabela.
Nëntë lojtarët e tjerë që ishin në parket kontribuuan gjithsej vetëm me 30 pikë, diçka që dënoi Kavaliersët.
Bostoni ndërkaq pati paraqitjen e dytë radhazi kolektive.
Formacioni rinor vendas sërish nuk u pengua aspak nga mungesa e yllit kryesor, Kajri Irvingut të dëmtuar, por secili nga lojtarët bëri detyrën.
Xhejlin Braun ishte më i miri me 23 pikë, 7 topa në tabela e 3 asistë, veçse nuk mbetën aspak prapa shokët e tij si Markus Morris, Xhejzën Tatëm, Al Horfort apo Terri Rozier.
Bostoni ia doli 107-94 duke ruajtur epërsinë e faktorit fushë dhe duke qenë një rrezik shumë i madh për Klivlendin dhe Xhejmsin.
Edhe pse basketbollistët e tanishëm kanë shumë pak përvojë, sërish efekti i një fanele kaq legjendare mund të jetë magjik, siç ka qenë gjatë gjithë këtij sezoni, sidomos tani në plej of.
Lebron e di mirë këtë, e di edhe se në moshën 33-vjeçare ai mund të mos e përballojë dot fizikisht një sezontë gjatë, më të gjatin e karrierës së tij./abcnews.al