Nga Erneta Shevroja
Kryeministri Edi Rama e ka deklaruar ambicien për një mandat të tretë kryeministror, duke i parashtruar shtabit të tij elektoral objektivin për 74 mandate në zgjedhjet e 2021.
Por a është e arritshme një shifër e tillë mandatesh?
Politogolu Afrim Krasniqi flet për një paradoks për realizimin e një objektivi të tillë.
“Ka kaq paradoks, ke 100 për qind të pushtetit dhe nuk qeveris dot dhe kërkon për vitin e ardhshëm për të marrë 51 % të pushtetit për të qeverisur, për të bërë reforma. Ky është konsum i madh dhe përgjigja që të cilën PS nuk është në gjendje për ta dhënë. Ne po shohim krizë në përfaqësim, shohim që ka dorëheqje vazhdimisht dhe dhe nuk ka figura të reja politike sepse nuk shkon njëri në një parti që është në rënie në fundin e mandatit të dytë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe kundërshtarët e PS, demokratët deklarojnë synimin e 84 mandateve në zgjedhjet e 25 prillit.
“Opozita ka dy probleme themelore; e para sepse nuk ka qartësim kush është opozitë dhe nëse janë bashkarisht si opozitë. E dyta, që të jesh opozitë dhe të kthehesh në alternative duhet të ndryshosh program, duhet të ndryshosh imazh, figurat publike. Ai (Basha) ende nuk e ka arritur ta bëjë këtë gjë. Ka shumë premtime por nuk ka rezultate dhe përsa kohë nuk ka rezultate numri i qytetarëve shqiptarë që është kundër qeverisë është shumë më i madh se numri i qytetarëve shqiptarë që votojnë opozitën”, është shprehur ndër të tjera ai.
Këshilli Politikë ende pritet të mblidhet për kodifikimin e ndryshimeve kushtetuese, të bëra më 30 korrik, ku parashikohet dhe hapja e listave, e shtruar si një kërkesë për të pasur një Parlament më cilësor dhe individë që nuk i zgjedh kryetari por votuesi. Por një pritshmëri e tillë, sipas politilogut nuk përmbushet.
“Sistemi i ri duke dashur të eleminojë të vegjlit, ua ka rritur peshën e të vegjëlve; duke dashur të eleminojë të fortët, individët e përfshirë në dekriminalizim, në fakt u ka dhënë akses atyre përmes partive të vogla, për të hyrë; duke dashur të eleminojë koalicionet, në fakt ka krijuar super koalicione të mëdha dhe deri diku e ka kufizuar mundësinë e zgjedhjes së qytetarëve”.
Sipas Krasniqit, as parlamenti i ri nuk do të jetë i pastër nga të inkriminuarit, pavarësisht presionit të ambasadës amerikane ndaj të gjithë drejtuesve të partive.
“Sistemi i ri në vend që të na çojë në një sistem ku elita politike përfaqësohet në Parlament, mund të na ndodh që përbërja e parlamentit të jetë shumë më e ndryshme nga ajo që presim dhe të ketë prurje pa fund nga partitë e vogla, nga individë të fortë, nga individë problematikë dhe individë që kontollojnë territore të caktuara të Shqipërisë. Për shkak të diferencës minimale midis partive të mëdha mund të ndodh që vota të tilla, mandate të tilla të jenë përcaktuese të përcaktojnë mandatin qeverisës”, tha për Abc News Krasniqi.
Deri më tani janë dy parti të reja, të Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarit, që do të synojnë mandate parlamentare në zgjedhjet e ardhshme. Por a do e kenë fatin e partive të tjera që nuk ia kanë arritur të përmbushin këtë objektiv?
“Nëse ruhet sistemi aktual ku pragu është në varësi të ndarjes territoriale, pra pragut lokal, është gati e pamundur që partitë e vogla të konkurrojnë në zona të caktuara dhe të fitojnë numrin e votave që prodhojnë mandate”, është shprehur ndër të tjera. /abcnews.al