Joe Biden, tha se nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai do të mbajë një pjesë të vogël të trupave në Afganistan dhe Irak, për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit. Biden tha se mbështet reduktimin e trupave, por shtoi se SHBA-ja duhet të shqetësohet edhe për terrorizmin dhe grupin militant.
“Unë mendoj se kemi nevojë për kapacitete të veçanta, për t’u koordinuar me aleatët tanë”, tha Biden, duke shtuar se ai parashikon 1,500 deri në 2,000 trupa si numër maksimal.
Biden nuk e specifikoi se për cilin vend bëhej fjalë. Ai po ashtu tha se ushtria amerikane nuk duhet të ndërhyjë në çështjet politike të vendeve ku janë vendosur trupa. Ajo duhet të koordinohet me aleatët për të trajnuar dhe për të udhëhequr në “çrrënjosjen e grupeve terroriste, që do të vazhdojnë të shfaqen”, tha Biden.
Pentagoni gjithashtu njoftoi se trupat amerikane në Irak do të reduktohen nga mbi 5,000 në rreth 3,000, këtë muaj. Donald Trump, po ashtu ka thënë se do të zvogëlojë numrin e trupave amerikane në Afganistan nga 8,000 në 4,000-5,000, deri në ditën e zgjedhjeve në SHBA, më 3 nëntor.
Biden po ashtu tha se nuk planifikon ta shkurtojë buxhetin e mbrojtjes në SHBA, përballë kërcënimeve të mundshme nga vendet, si: Rusia dhe Kina. Trump ka thënë në mënyrë të vazhduar se ai dëshiron t’i japë fund luftës më të gjatë të Amerikës, e cila filloi në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Negociatat për paqen midis talibanëve dhe qeverisë afgane do të fillojnë në Katar në 12 shtator. Negociatat janë pjesë e një marrëveshje historike të nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në Shkurt.
Sipas marrëveshjes SHBA-Taliban të nënshkruar në Doha në shkurt, forcat ndërkombëtare duhet të tërhiqen nga Afganistani deri në maj 2021 në këmbim të garancive kundër terrorizmit nga një grup militant, i cili u zotua të negociojë një marrëveshje të përhershme armëpushimi dhe ndarje të pushtetit me qeverinë afgane. s.ba/abcnews.al