Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Elon Musk ka rikthyer aksesin e Ukrainës në internetin satelitor Starlink, pasi kufizimet e vendosura kishin vështirësuar komunikimin e forcave ukrainase në luftën kundër Rusisë.
Deklarata e Trump vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se lidhja me rrjetin ushtarak Starshield, një version më i sigurt i sistemit Starlink, nuk ishte rikthyer ende plotësisht.
I pyetur për raportimet se kishte telefonuar Musk-un për t’i kërkuar heqjen e kufizimeve, Trump nuk pranoi të jepte detaje, por u shpreh: “Në fund të fundit, ai e riktheu atë.”
Musk kishte mohuar më herët se ishte përgjegjës për ngadalësimin e shërbimit. Megjithatë, kufizimet kishin ndikuar në përdorimin e dronëve nga ushtria ukrainase, si për sulmet ndaj objektivave ruse, ashtu edhe për mbrojtjen nga sulmet e Moskës.
Sipas raportimeve të gazetës amerikane “The Wall Street Journal”, Trump kishte telefonuar Musk-un dhe i kishte kërkuar të hiqte kufizimet. Gazeta raportoi se shpejtësia e sistemit ishte kufizuar në rreth 160 kilometra në orë, duke ndikuar në funksionimin e dronëve sulmues dhe atyre që përdoren për të kapur dronët kundërshtarë.
Pas bisedës, sistemi nisi të funksiononte më normalisht, sipas gazetës. Megjithatë, BBC ka bërë të ditur se nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur këtë raportim.
Më herët, Zelensky kishte deklaruar se shpejtësia e sistemit të përdorur nga ushtria ukrainase nuk ishte rikthyer ende plotësisht. Ai tha se autoritetet po punonin për zgjidhjen e problemit dhe se po priste informacion nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili i kishte premtuar një përgjigje brenda rreth 48 orësh.
Nga ana tjetër, administrata amerikane ka mohuar vazhdimisht se ka urdhëruar kufizimin e aksesit të Ukrainës në shërbim.
Starlink dhe Starshield janë sisteme satelitore që mundësojnë komunikimin përmes internetit edhe në zona të largëta dhe në fushëbeteja, ku rrjetet tradicionale nuk funksionojnë. Ukraina përdor Starlink për komunikime të zakonshme, ndërsa Starshield për disa nga operacionet që kërkojnë siguri më të lartë.
Çështja vjen në një moment kur Trump po ushtron presion ndaj Kievit për të ndalur sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës. Ndërkohë, vendimet e fundit të administratës amerikane për lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë dhe për importimin e naftës dizel ruse kanë shkaktuar kritika nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë.
Elon Musk kishte deklaruar më herët se kontrolli përfundimtar mbi aksesin në Starshield i takon qeverisë amerikane, pasi sistemi është krijuar për përdorim nga Pentagoni. Shtëpia e Bardhë, megjithatë, ka mohuar se ka dhënë urdhër për kufizimin e shërbimit.


