Problemet e sjella nga pandemia në sistemet Shëndetësore po rrezikojnë miliona jetë njerëzish në të gjithë botën.
Paralajmërimin e bëri Organizata e Kombeve të Bashkuara të mërkurën ndërsa paralajmëroi se Covid-19 mund të zhbëjë përparimin e bërë në dekada me radhë në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve, shkruan abcnews.al
Sipas OKB, në 30 vitet e fundit, janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në parandalimin ose trajtimin e shkaqeve që çojnë në vdekje foshnjore, përfshirë këtu edhe lindjet e parakohshme dhe pneumoninë.
Vlerësimet e reja të vdekshmërisë të botuara nga fondi i fëmijëve të OKB Unicef, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Grupi i Bankës Botërore zbuluan se viti 2019 pa numrin më të ulët të vdekjeve globale mes fëmijëve nën pesë vjeç.
Vitin e kaluar rreth 5.2 milion fëmijë humbën jetën për shkak të sëmundjeve të parandalueshme, krahasuar me 12.5 milion në 1990. Tashmë ekziston rreziku që pandemia të ndikojë në shërbimet dhe kontrollet rutinë për fëmijët dhe nënat.
Një sondazh i Unicef në 77 vende zbuloi se 68 për qind e tyre raportuan të paktën disa probleme në kontrollet dhe vaksinimin e fëmijëve. s.b /abcnews.al/