Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” pëer ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi që izolon në banesën e tij tek Kodra e Diellit Tahirin u firmos nga gjyqtarja e Krimeve, Liljana Baku pasditen e së shtunës.
Në kërkesën e depozituar në gjykatë në orët e paradites, prokuroria kërkonte caktimin e masës “arrest në burg” për Tahirin, të dyshuar për akuzën e “trafikut të narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe të “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”.
Por pas më shumë se 7 orë shqyrtimi të kërkesës dhe provave të paraqitura nga prokurorja, gjyqtarja Liliana Baku vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-ministrin e Brendshëm.
Së fundi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë përgjigjet e dy letërporosive nga Greqia dhe Italia, ku janë kërkuar të dhëna nga autoritetet e këtyre vendeve në lidhje me Tahirin. Burime të ABC News konfirmuan se kërkesa është bazuar në të dhëna të përcjella nga këto letërporosi.
Në vjeshtën e shkuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Kuvendit të Shqipërise dhënien e autorizimit për caktimin e një mase shtrënguese ndaj deputetit në atë kohë Saimir Tahiri. Por duke mos u bindur nga provat e paraqitura nga prokuroria, mazhoranca në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve votoi kundër kësaj kërkese. Më pas, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorisë vendosi ndalimin e daljes jashtë vendit për ish-ministrin Tahiri, por ky vendim u rrëzua nga Apeli në muajin Dhjetor, duke i kthyer Saimir Tahirit pasaportën personale.
Kërkesa më e fundit e prokurorisë për arrestin e ish-ministrit të Brendshëm, për të cilin ka nisur një hetim që në nentor të vitit të shkuar, vjen vetëm një ditë pasi KQZ pranoi dorëzimin e mandatit të deputetit nga Tahiri dhe ia kaloi këtë mandat kandidatit të radhës Spartak Braho. Po ashtu kërkesa për arrestin e ish-ministrit të Brendshem u bë vetëm dy ditë pas emërimit në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të prokurores Donika Prela, që zëvendësoi prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili gjithsesi vazhdon të mbetet një nga prokurorët e dosjes.
Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i caktoi atij masën e sigurisë arrest shtëpie, Saimir Tahiri është i detyruar të zbatojë urdhërin për të mos u larguar nga banesa e tij.
Vendimi i Gjykatës iu komunikua Tahirit pasditen e së shtunës nga dy oficerë të Policisë Gjyqësore, në praninë e avokatit të tij, Maks Haxhia. Avokati pohoi se do ta kundërshtojë masën e sigurisë në Apelin e Krimeve të Rënda.