Luis Suarez është afër transferimit te Juventusi. “El Pistolero” ka gjetur akordin financiar me kampionët e Italisë dhe ka filluar të marrë leksione të gjuhës italiane.
Ai është një nga miqtë më të ngushtë të Leo Messit, i cili vendosi të qëndronte te Barcelona. Diçka e tillë mund të ndikojë edhe në qëndrimin e bomberit uruguaian në “Camp Nou”.
Ish-presidenti i klubit katalanas gjatë viteve 2000-2003, Joan Gaspart ka folur rreth mundësisë së qëndrimit të Suarez te Barcelona në një prononcim për Radio Kiss Kiss, duke theksuar se 33-vjeçari mund t’i japë sërish shumë ekipit spanjoll.
“Nuk e di nëse qëndrimi i Messit do të ndryshojë idenë e Suarez apo trajnerit Koeman. Do të jetë një vendim teknik, tek i cili nuk mund të futem. Ama, di të them që Suarez mbetet një futbollist i nivelit të lartë dhe mund të japë akoma kontribut të rëndësishëm për Barçën“, deklaron Gaspart. /abcnews.al