Miratohet në Greqi memorandumi me Shqipërinë/ Agimi i Artë kundër

schedule11:50 - 11 Maj, 2018

schedule 11:50 - 11 Maj, 2018

Ditët e ardhshme parlamenti grek pritet të votojë memorandumin për bashkëpunimin me Shqipërinë, pas miratimit të tij në komisionin parlamentar për politikën e jashtme dhe mbrojtjen në Greqi. Por Agimi i Artë ka reaguar ashpër duke këmbëngulur se nuk do të ketë asnjë lloj hapje negociatash të Shqipërisë për procesin e integrimit evropian.

Debate të ashpra në parlamentin grek ku protagonist ka qenë një deputet I Agimit të artë, ndërsa tema e debatit ishte memorandum për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe Mbrojtjen në Greqi miratoi me shumicë votash projektligjin e paraqitur nga Ministria e Jashtme e shtetit grek, mbi Memorandumin e Bashkëpunimit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Vendimi i hap rrugë mbështetjes së Shqipërisë nga Greqia, në rrugën e integrimit europian, në një kohë kur vendi ynë pret hapjen e negociatave në muajin qershor. Pro Memorandumit të bashkëpunimit votuan partitë e koalicionit qeveritar, Syriza dhe Grekët e Pavarur, si dhe partia opozitare Potami, ndërsa Demokracia e Re, PASOK dhe Unioni i Qendrës shprehën rezerva në lidhje me këtë Memorandum. Kundër këtij Memorandumi bashkëpunimi votoi partia Agimi i Artë.

Mediat greke raportojnë se fjalimi i deputetit të Agimit të Artë në parlamentin e vendit, ka qenë i pasur me urrejtje dhe racizëm kundër Shqipërisë.

Gjatë debatit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, deputeti Elias Kasidiaris sulmoi këngëtaren Eleni Fourera, e cila është me origjinë shqiptare dhe përfaqëson Qipron në Eurovizion, si dhe futbollistët shqiptarë që luajnë për Greqinë.

“A i shikoni shqiptarët, e shikoni ç’ndodh në Eurovizion, zbavitet një këngëtare që thotë se ajo nuk është shqiptare, se nuk ka të bëjë me Shqipërinë; thotë se është nga Guatemala, Nikaragua, nuk e di se çfarë dhe mbi të gjitha, futbollistë të dështuar, kantautorë që kapin paratë në Greqi, sepse fatkeqësisht shumë janë dyndur këtu në Greqi. Dhe pasi fitojnë paratë, fillojnë me simbolet në bluza, shqiponjat e Shqipërisë së Madhe, kështu që ata që besojnë në këto mizori, zbaviten me Shqipërinë e madhe jashtë Greqisë, shkojnë atje ku nënat e tyre nuk dinin ç’këpucë t’u vishnin. Asnjë bisedim me shqiptarët, asnjë negociatë derisa politikat e tyre antihelene të shtetit të ndalojnë. Ky është qëndrimi i Agimit të Artë. Menjëherë ne duhet të vëmë veton, një veto greke, për asnjë lloj hapje negociatash për procesin e integrimit evropian.”

Tashmë projektligji do të kalojë për votim në Parlament, në ditën e ardhshme. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!