Kukësi ka humbur një nga lojtarët më të mirë të sezonit të shkuar. Mesfushori Valon Ethemi nuk iu bashkua verilindorëve me mbylljen e kampionatit, edhe pse pretendimet ishin se kishte kontratë edhe për ndeshjet e kupave të Europës.
Te Kukësi “kërcënuan” edhe me gjoba, por në fund nuk e regjistruan në listën e lojtarëve për Europën. Ethemi nga ana tjetër ka një ofertë nga Zaglebie Lubin, klub ku kreu edhe vizitat mjekësore. Gjithsesi polakët nuk e zyrtarizuan, për të pasur një pasqyrë më të qartë të situatës së Ethemi te Kukësit.
Zaglebie Lubin mbetet opsion për anësorin, ndërkohë që ka edhe oferta të tjera nga Polonia e Turqia. Ai po i shqyrton të gjitha dhe nga ana tjetër nuk mund të mbetet prapa me përgatitjet. Momentalisht ai ndodhet në Gjermani dhe po “karikohet” për sezonin e ri futbollistik.
OBANOR – Mbrojtësi nigerian i Kukësit ishte një nga prurjet më të mira nga jashtë në Superiore sezonin e shkuar. Verilindorët do ta kenë atë pjesë të skuadrës edhe për një vit, në rast se nuk marrin ndonjë ofertë që nuk mund të refuzohet.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe në Turqi. Altay, që garon në ligën e dytë, e ka parë Obanor dhe trajneri do të vendosë nëse e do në skuadrën e tij apo jo. Të paktën kështu raportojnë mediat në Turqi, kurse Kukësi nga ana tjetër nuk e lëshon falas nigerianin. /abcnews.al