Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku 65-vjeçari Hasan Miri u vetëhodh nga spitali “Shefqet Ndroqi”.
Mbrëmë janë marrë në pyetje disa familjarë dhe mjekë, që kanë ndjekur rastin e 65-vjecarit nga Klosi, ndërsa gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al se organi i akuzës ka nisur hetimet.
Abcnews.al ka mësuar se disa nga mjekët, kanë deklaruar pranë grupit hetimor se Miri, ka shfaqur dje sjellje jo të qëndrueshme dhe ishte i rënduar psikologjikisht.
Kujtojmë se 65-vjeçari nga Klosi ishte vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani.
Mësohet se pas konfirmimit me Covid-19, mjekët i kanë rekomanduar 65-vjeçarit të qëndrojë i izoluar në shtëpi, por dy ditë më parë gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Për shkak të kësaj gjendje, Miri u transportua në “Covid 2” për trajtim më të specializuar mjekësor. g.v/abcnews.al