Në gjykatën e Tiranës vijon procesi kundër të pandehurve per vjedhjen e nje banke te nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut. Njëri prej të akuzuarve, pavarësisht se pretendon pafajësi, kërkoi gjykim të shkurtuar.
Ky është Roland Liti. Ai po gjykohet si një nga autorët e vjedhjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Hajdutët mundën të marrin gati 20 milionë lekë pasi depërtuan në bankë përmes një tuneli në murin anësor të dhomës kasafortës.
I bashkëpandehuri i Litit, Alan Babameto kishte zgjedhur të mos paraqitej në seancë. Përmes përfaqësuesit ligjor në gjyq, ai kërkoi të gjykohej me kohë të shkurtuar.
“Kërkojmë zgjidhjen e çështje në gjendjen në të cilën ndodhen aktet, por pa pranuar fajësinë”, theksoi mbrojtësi. Sipas procedurës, në rast të deklarimit të fajshëm ky lloj gjykimi i garanton të pandehurit uljen e një të tretës së masës së dënimit.
Kërkesa e Babametos nuk u mirëprit nga prokurori. Ai i tha gjykatës se çështja është komplekse dhe se ndarja do ta dëmtonte procesin e shqyrtimit të provve. Gjykata do të shprehet në seancën e radhës, caktuar në 28 shtator për këtë kërkesë.
I pandehuri tjetër nuk paraqiti kërkesë të kësaj natyre, duke zgjedhur një gjykim të zakonshëm. Ashtu si i bashkëpandehuri, edhe Liti ka shfaqur qëndrim mohues në lidhje me akuzën.
Në seancën e së mërkurës gjykata vendosi të veçojë padinë civile për dëmshpërblim të gati 20 milionë lekëve të vjedhur të depozituar nga përfaqesuesit e bankës dhe kompanisë së sigurimeve. “Gjykimi i padisë civile në procesin penal do të sillte zvarritjen e gjykimit”, argumentoi treshja gjykuese.