Nga Xhensila Kodra
Ditët e fundit në malësinë e Fushë-Krujës, forca të shumta policie dhe ato të FNSH-së kanë nisur aksionin për asgjësimin e parcelave me kanabis.
Burime zyrtare të policisë konfirmojnë se parcelat e evidentuara me kanabis më ditët e fundit në malësinë e Fushë-Krujës janë të mbjella për të tretën herë, pas asgjësimeve që u janë bërë në muajt e parë të këtij viti.
Në operacionin e zhvilluar në tre ditët e fundit, mësohet se janë asgjësuar jo më shumë se 100 bimë kanabisi, në parcela të ndryshme e në zona të pyllëzuara.
Autorët dyshohet të jenë të njëjtët persona, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.
Duke iu referuar statistikave, në 6 muajt e parë të këtij viti, në të gjithë territorin janë asgjësuar 53849 bimë kanabisi, 10941 bimë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numrin më të lartë të bimëve të asgjësuara këtë vit e mban muaji Qershor me 36 mijë e 44 të tilla.
Ndërsa vitin e kaluar numrin më të lartë e kishte muaji Maj me 16 mijë e 302 bimë.
Përveç malësisë së Fushë-Krujës, kontrollet e policisë janë shtirë edhe në periferi të Durrësit, në Berat e në malësinë e Shkodrës. Kontrollet nga ajri e toka janë kryer në bashkëpunim me Guardia di Finanza.
Tabela
Asgjësimet në 2020
Prill 462 bimë
Maj 17343 bimë
Qershor 36044 bimë
Asgjësimet në 2019
Prill 12011 bimë
Maj 16302 bimë
Qershor 14595 bimë./abcnews.al