Kreu i BDI, Ali Ahmeti është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit nga Gjykata Speciale, lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Intervistimi ka filluar mëngjesin e sotëm në orën 09.30. Intervistimi po bëhet nga prokurorët specialë në Prishtinë, në zyrat e Eulex, misioni i BE për sundimin e ligjit.
Ndërkaq, intervistimi me kreun e BDI do të vazhdojë edhe nesër.
Ahmeti konfirmoi më herët se ka pranuar ftesën e prokurorëve që po hetojnë krimet e kohës së luftës dhe pasluftës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, deklaroi ai. /abcnews.al