Dy shtetas shqiptarë në Greqi, pjesë e një grupi të dënuarish, kanë arritur të arratisen teksa po transferoheshin nga njëri burg në tjetrin në rrugë detare. Autoritetet kanë nisur një operacion masiv kërkimi.
Dy shtetas shqiptarë në Greqi, pjesë e një grupi të dënuarish që po transferoheshin nga njëri burg në tjetrin, janë çliruar nga prangat dhe kanë arritur të arratisen. Ngjarja ka ndodhur në portin e Pireut dhe në zonën përreth forcat e policisë kanë nisur menjëherë një operacion kërkimi. 11 të dënuarit po transferoheshin në rrugë detare në burgun Alikarnasos, në Kania.
Sipas burimeve, furgoni me të cilin po udhëtonin ka hyrë në tragetin “Eleftherios Venizelos”. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në garazhin e mjetit lundrues, por papritur katër prej tyre kanë dalë prej andej dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Policët që i shoqëronin u janë vënë pas dhe kanë bllokuar njërin prej tyre, ndërsa tjetri ka mbetur i bllokuar në një pjesë të portit. Sipas burimeve mediatike, është konfirmuar se dy të tjerët që kanë arritur të arratisen janë shtetas shqiptarë.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar se ata i ka pritur një furgon dhe janë larguar përmes rrugës “Termopilet”. Ende nuk dihet, por dyshohet që të dënuarit të jenë ndihmuar nga dikush tjetër për të hequr prangat kur ndodheshin në garazhin e tragetit, ku thuhet se janë dëgjuar edhe të shtëna./abcnews.al