Dokumentat e vendimit të gjykatës italiane që dënon Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ky i fundit i sheh si flamurin e një lufte të vjetër.
“Dhe kjo ndodh sa herë që kundërshtarëve politike u duhet të luftojnë me baltë, çka nuk luftojnë dot me argumenta në punën time, si dje gjatë reformës në drejtësi ashtu edhe sot si Ministër i Brendshëm.”
Lidhjen e drejtpërdrejtë mes asaj që ka ndodhur në vitin 2002 me vëllain e tij dhe veprimet si njeri dhe zyrtar i kësaj qeverie, Fatmir Xhafaj nuk e sheh.
“Ndërkohë që nuk kam se si të kuptoj çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur e as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të.”
Ngjarja është zhvilluar në një shtet tjetër në një kohë kur vetë demokratët ishin dhe qëndruan për 8 vjet në pushtet, thekson ai.
“Dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as qeveria tjetër më pas dhe as kjo qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje.”
Konstanten në qëndrimin e tij nga koha kur ka ndodhur ngjarja deri në kohën, kur u bë ministër i Brendshëm e deri më sot, Fatmir Xhafaj, e ilustron me procesverbale duke theksuar se sipas tij në këtë vend, përfshi edhe atë vetë, askush nuk është mbi ligjin.