Shkarkimi i Hajdarmataj/Basha: Lëvizje antiligjore dhe e urdhëruar nga Rama

schedule18:58 - 9 Maj, 2018

schedule 18:58 - 9 Maj, 2018

Kamikaze të kryeministrit Rama i quan kryeopozitari Lulzim Basha kryeprokuroren Arta Marku dhe të emëruarën prej saj në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.

Edhe pse në njoftimin e shpërndarë për media, shkarkimi i kreut aktual të kësaj prokurorie, Besim Hajdarmataj, nuk përmendet në asnjë moment, kreu i opozitës thekson kohën dhe pyetjet që ngre për të shkarkimi “de fakto” i kreut të deritanishëm të kësaj prokurorie.

“Sot kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftoi shkarkimin e Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, drejtuesin e prokurorëve që hetojnë Saimir Tahirin. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës. Shkarkimi i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, i kryer me urdhër direkt të Edi Ramës,:

– vjen vetëm pak ditë pas mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia dhe Italia

– vjen vetëm pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Saimir Tahirit dhe vendosi të thërrasë edhe vetë këtë të fundit. A është shkarkuar Hajdarmataj se në dosjen hetimore po mblidheshin të tjera prova te mjaftueshme për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën? A është emëruar prokurorja e re për të shkatërruar këto prova për Tahirin qoftë edhe duke e dorëzuar Sajmir Tahirin në mënyrë të kontrolluar tek drejtësia? Që do të thotë e arrestojmë për sy e faqe dhe pastaj e shpallim të pafajshëm duke shkatërruar çdo provë

Kryeministri Rama po bën gjithçka që të shpëtojë Saimir Tahirin, theksoi Lulzim Basha, madje edhe duke shkelur ligjin që mazhoranca e tij votoi dy vjet më parë.

Prokurori i Pergjithshëm i Përkohshëm nuk ka të drejtë të emërojë dhe as të shkarkojë drejtues prokurorie. Neni 160 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ia ndalon Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm që të marrë vendimin që ka marrë sot.

Ligji për prokurorinë cakton dispozitën kalimtare të cilës i referohet kryedemokrati Basha si përgjegjëse për parashikimin e kompetencave kalimtare të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, i cili sipas ligjit në fjalë, ka të drejtë të pezullojë prokurorë, sipas procedurës dhe kritereve të parashikuar në ligj dhe të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar në vitin 2016.

Me këtë akt të paligjshëm tani e gjithë struktura e prokurorisë është nën kontrollin e plotë dhe në shërbim të plotë të Edi Ramës. Ky është lajmi më i zi që mund t’u jepej shqiptarëve në Ditën e Europës”.

Kjo për kreun e demorkatëve tregon se Prokuroria sot është në shërbim të interesave kriminale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!