Në kohë pandemie ka ende punonjës që nuk janë të pajisur me mjete mbrojtëse gjatë kohës që ju shërbejnë të sëmurëve apo të dyshuarve me COVID.
Një rast konkret vjen nga Maliqi. Drejtuesi i vetëm i autoambulancës Agim Lipollari natë e ditë u shërben banorëve në Maliq dhe fshatrave përreth, ai qëndron në gatishmëri 24 orë në 24.
Në këtë kohë pandemie po rrezikon dhe shëndetin.
Lëviz pa maskë dhe veshjet e posaçme që parandalojnë infektimin nga virusi.
“Një javë para kishim një rast me Covid na thanë të vinim e kundërshtova se nuk kisha as maskë, as doreza, as veshje mbrojtëse kominoshe siç ka Tirana. Ju thashë s’mund të vete. Ditën tjetër vajta në Drejtori dhe na dhanë ca maska, por komplete siç kanë të tjetër ne nuk kemi”, është shprehur ai.
64 vjeçari ka dhe një problem më të madh. Punën e do deri në vetësakrifikim por prej një vit durimi i është sosur.
Kërkon prej kohësh që të punësohet dhe një shofer tjetër dhe të marrë një pagesë dinjitoze, por kjo nuk ka ndodhur. Ai tregon episode të jashtëzakonshshme.
“Kam dalë nga berberi me kokë gjysmë të qethur e jam kthyer më vonë. Kam dalë nga dushi herë i larë e herë i palarë jam veshur dhe jam nisur në punë. Po nuk mundem më nëse nuk sjellin e një shofer tjetër dhe të më shihet paga deri në shtator do lë punë. Kam një vit që e kërkoj dhe drejtorët e kanë bërë kërkesë. Unë s’lë dot punë e nuk shkoj dot në instancat e larta se nuk lëviz dot”, ka thënë shoferi.
Një njeri kaq të përgjegjshëm në kohët e sotme vështirë se gjendet por ndihet i demoralizuar. Shpenzon për mjetin e punës dhe nga paratë e veta.
“Quhem si njëri i pavlerë së nuk më japin shpresë për asgjë. Me ato të ardhura nuk më dalin me lekët e mia laj e ambulancën. Ma ulin çmimin në lavazh se ju vjen gjynah. Përpiqem ta mbaj mirë makinë”.
Ai ka dhe detyrime familjare që prej punës nuk i del dot për zot.
“Të kem një hall të largohem nga shtëpia se bëj dot jam tamam si me arrest shtëpie. Të gjitha punët dhe detyrimet jashtë shtëpisë I bën gruaja se nuk lëviz dot nga vendi. Shkon gruaja tek ndonjë i sëmurë dhe në dasma. As për një kafe nuk dal e kam të detyruar të mos lëviz nga vendi. Me sherr e shamatë kam marrë leje. Më duket sikur jam në arrest shtepie”, shprehet ndër të tjera për Abc News ai.
Kjo është histori e rrallë e një heroi të heshtur që sot mundi të flasë dhe të kërkojë publikisht atë që i takon, punë me orar të caktuar, një pagë dinjitoze, pushim javor dhe leje vjetore siç dhe kodi i punës e përcakton./abcnews.al