Legjenda e Tiranës, Agustin Kola, flet me superlativa për paraqitjen e kampiones së Shqipërisë ndaj Crvena Zvezdës. Kola thekson se serbët nuk ishin të dobët, por u dukën të tillë sepse Tirana luajti shumë mirë.
Nuk i kupton kritikat dhe nënvleftësimin, ndërsa mendimin e tij e ka të fiksuar fort. Tirana që u përball me Crvena Zvezdën në Champions e bëri të lumtur njërin prej legjendave më të mëdha në historinë e këtij klubi, Agustin Kolën. Ish-sulmuesi i shquar i viteve ‘80-‘90, vlerëson me nota të larta në të gjitha drejtimet paraqitjen e skuadrës, duke i dhënë meritat të gjithëve, që nga presidenti Halili, trajneri Egbo dhe lojtarët.
“Të them të drejtën, kur na ra shorti me Yllin e Kuq, thosha ‘obobo’ e uroja të mos pësonim shumë gola. Me atë që pashë në fushë, po t’i shohësh të gjithë aspektet, ishim më lart se kundërshtari dhe e vumë në pozitë. Dëgjoja njerëzit të thonin që ‘jo po luajtën dobët ata’. Jo, kemi luajtur ne shumë mirë, perfekt”, shprehet Kola në intervistën e dhënë për gazetarin Bledar Kuka, në “ABC News”
Kola ka vetëm një vërejtje për trajneri Emanuel Egbo, ndonëse e quan gabim normal. “Meritë ka presidenti fillimisht. E kam thënë edhe herë të tjera që trajneri ka meritë. Për mua ka një gabim, kur hoqi Cobbinah. Unë isha i mendimit që nuk duhej hequr. Mund ta bënte nëse do të kishte një lojtar tjetër me përvojë”.
Ai kujton kohën kur Tirana e tij pati një sfidë të ngjashme me këtë të sotmen, ndaj Dinamos së Bukureshtit në 1986, dhe e mbylli me sukses. “Atëherë luanim pak ndeshje. Kampionati ishte i fortë, më i fortë se sa sot. Shkonim jashtë që të mos pësonim gola. Pastaj mobilizoheshim në grup. Kur shihnim Rummenigge në vitet ’80 në TV, “obobo” thoshim. Tani nuk ka më ndjenjë inferioriteti”.
Kola ndihet optimist kur vjen puna për Ligën e Europës, dhe për kampionatin. “Dëshira ime është që Tirana të ecë përpara. Kemi kampionatin përpara dhe Tirana është sërish për titull. Janë edhe më të fuqishëm se vjet. Me ndeshjen që pashë, besoj se do ecin. Gjithsesi duhet edhe fat në ndeshje të tilla”, mbyll Kola. /abcnews.al