Ka përfunduar rehabilitimi i lumit të Tiranës. Ky është një lajm i mirë veçanërisht për ata banorë që përjetonin përmbytje çdo vit tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
“Lajmi më i mirë është për njësitë 4, 8 dhe 9, të cilat e prisnin stinën e reshjeve dhe të shirave me dorë në zemër dhe me një frikë të madhe që uji do të pushtonte banesat e tyre dhe sot më vjen mirë që ky është një problem që tingëllon si përrallë nga e kaluara dhe më në fund kemi një sistemim 8.3 km të Lumit të Tiranës në një mënyrë totalisht të modernizuar nga Kafja e Rremës deri te Ura e Kamzës”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur që me këto dy projekte një nga zonat, deri para pak kohësh, më pak të pëlqyerat e Tiranës, ka marrë një tjetër zhvillim dhe vlerë, duke u kthyer tashmë në pjesët më të pëlqyera jo vetëm për bizneset, por edhe për përfaqësitë e huaja.
“Ashtu siç kemi punuar me të njëjtën cilësi në sheshin “Skënderbej”, te Pazari i Ri, te parku i Liqenit apo dhjetëra projekte anembanë Tiranës, sot jemi në fazën e dytë të projektit të Bulevardit të Ri, shumë pranë Bregu të Lumit, ndërkohë që mund të themi me gojën plot se kemi përfunduar me sukses rehabilitimin e Lumit të Tiranës, një gangrenë disavjeçare prej përmbytjeve”.
Por jo vetëm kaq, kryebashkiaku bëri të ditur se tashmë ky projekt do të pasurohet edhe me një sërë investimesh që do ta bëjnë gjithë këtë zonë rekreative për banorët.
“Sot kemi mbjellë vetëm në lumin e Tiranës 4 mijë pemë, 20 mijë shkurre, 8.5 kilometra shtigje dhe për të gjithë ata që janë të ngazëllyer nga transformimi i bregut jugor të Liqenit të Tiranës dhe hapësirave sportive atje për këmbësorë, për biçikleta dhe për vrapues, ju them që nuk keni parë gjë akoma kur të shikoni se si do të transformohet Lumi i Tiranës në ndoshta hapësirën tjetër më të madhe rekreative për të gjithë banorët e Tiranës veriore në lagjen 4,8 dhe 9”.
Sa i përket Bulevardit të Ri, kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij theksoi se Tirana me këtë projekt dyfishon shtyllën e saj kurrizore, ndërsa kryeqyteti themelon një lagje të re, e cila do jetë në gjendje që për 30 vitet e ardhshme të mund të akomodojë një numër të madh banorësh.
“Sot mund të themi plotësisht që po themelojmë lagjen e parë, ku e gjithë infrastruktura dhe në fakt ka më shumë punë nën tokë se sa mbi tokë, çfarë mund të shikojë syri i njeriut, për herë të parë kemi ndërtuar një shtyllë kurrizore, kemi konceptuar të gjitha blloqet. Në fund të këtij muaj zbardhet PDV-ja e gjithë lagjes së Bulevardit të Ri që besojmë do të strehojë deri në 100 mijë persona deri në fund të vitit 2050. Më në fund kemi një valvul shkarkimi, kemi një lagje të re e cila do themelohet mbarë, duke filluar nga ky Bulevard që është aksi kryesor dhe duke vazhduar me të gjitha kuartallat në të majtë dhe të djathtë të këtij bulevardi”.
Kryebashkiaku theksoi se me përfundimin e rrugës “Siri Kodra”, Bulevardi i Ri do të bëhet funksional edhe për makinat dhe i shfrytëzueshëm për transport. Ai bëri të ditur se ashtu si Lumi Tirana edhe Bulevardi i Ri, bashkë me Parkun e ri Qendror, do të përbëjnë hapësirën më të madhe rekreative dhe të gjelbëruar të Tiranës, e krahasuar kjo me Parkun e Madh të Liqenit./abcnews.al