Ronaldinho pranon fajin, gjobitet dhe lihet i lirë në Paraguai

schedule09:30 - 25 Gusht, 2020

schedule 09:30 - 25 Gusht, 2020

Ronaldinho i lirë. Ylli brazilian, i cili ka qenë pjesë e Milanit dhe Barcelonës, ishte arrestuar në Paraguai për shkak se kishte përdorur dokumente false për të hyrë në shtetin e Amerikës së Jugut. Së bashku me të ishte arrestuar edhe vëllai i tij, Roberto Assis.

Ngjarja kishte ndodhur që në muajin mars dhe fillimisht vëllezërit brazilianë u lanë në qeli për 32 ditë, deri kur avokati i tyre paguan 1.6 milion dollarë që të liroheshin me kusht. Ata qëndruan për muaj të tërë në një hotel dhe tani kanë të drejtë të rikthehen në Brazil.

Ronaldinho dhe vëllai i tij rrezikonin deri në pesë vite burg. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje, të dy kanë pranuar fajësinë dhe kanë rënë dakord ta mbyllin gjithçka me gjobë. Ish-futbollisti është gjobitur me 90 mijë dollarë, kurse Roberto me 110 mijë dollarë.

Ronaldinho ia ka hedhur, kurse vëllai i tij e ka pësuar më rëndë. Roberto për dy vite nuk duhet të largohet nga Brazili dhe gjatë kësaj periudhe duhet të paraqitet herë pas here tek autoritetet braziliani në Rio De Janeiro.

Ish-fantazisti i kombëtares braziliane mund të rikthehet në Brazil, mjafton që ai të përcaktojë kohën e saktë të qëndrimit. Kështu merr fund telenovela “Ronaldinho” në Paraguai. /abcnews.al