Duka: Bayern favorit ndaj PSG, Milani fiton titullin me Ibrën dhe Calhanoglu

schedule11:59 - 22 Gusht, 2020

schedule 11:59 - 22 Gusht, 2020

Në prag të finales së UEFA Champions League ndërmjet PSG – Bajern Mynih, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për televizionin shtetëror turk TRT nga Lisbona. Presidenti Duka ka komentuar finalen e nesërme, grupin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, ecurinë e Turqisë dhe Milanit ku luan një ikonë e Turqisë si Calhanoglu.

-President, çfarë finale do të shikojmë nesër?
-Pres të shikoj një finale interesante ndërmjet dy skuadrave shumë të mira siç janë Bajern Mynih dhe PSG. Jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e fortë dhe nuk mund të parashikohet kush do të fitojë. Më duket se Bajern Mynih është pak më i fortë në letër, është më shumë skuadër dhe solid si grup, por është një ndeshje finale dhe nuk duhet të harrojmë se edhe PSG ka shumë cilësi në skuadër, një Nejmar të jashtëzakonshëm që nuk mund të parashikohet se çfarë bën në fushën e lojës, është i aftë për gjithçka. Do të shohim një ndeshje interesante.

-Në shtator fillon UEFA Nations League. Si e parashikoni grupin tuaj?
-Për grupin tonë mund të them që jemi katër skuadra në të njëjtin nivel pak a shumë. Jemi ne, Bjellorusia, Kazakistani dhe Lituania. Ne kemi shkuar në short si kokë grupi dhe shpresojmë të bëjmë mirë. Objektivi ynë është të dalim të parët në fund të Kupës së Kombeve. Gjithçka mund të ndodhë. Duhet ta fillojmë mirë në ndeshjen e parë në Minsk duke marrë një rezultat pozitiv dhe më pas të vazhdojmë përpara.

-Si e shikoni grupin e Turqisë?
-Turqia ndodhet në një grup të fortë me Rusinë, Hungarinë dhe Serbinë. Në gjykimin tim, Turqia është favorite për të fituar grupin që do ta ngjiste në grupin A të edicionit të ardhshëm të Kupës së Kombeve dhe për të pasur një vend në play-off të Kupës së Botës. Turqia në vitet e fundit ka arritur rezultate shumë të mira, duke ndërtuar një skuadër të mirë. Ne kemi luajtur me ta në grupin për kualifikueset e EURO 2020. Besoj se edhe ju e kujtoni ndeshjen e fundit në stadiumin e Fenerbahçes, ku Turqia shënoi në minutën e fundit dhe siguroi kualifikimin për në Kampionatin Europian që do të luhet në vitin 2021.

-President ju e ndiqni kampionatin italian prej vitesh. Dimë që jeni tifoz i Milanit dhe në rifillimin e sezonit të shkuar kuqezinjtë shkëlqyen. Një gjykim për Milanin dhe turkun Calhanoglu?
-E vërtetë që unë jam kuqezi. Kuqezi është Milani, kuqezi është edhe Shqipëria. Gjithmonë kuqezi. Milani pas ndërprerjes për Covid-19 është kthyer të jetë një tjetër skuadër, duke luajtur shumë mirë e duke arritur rezultate pozitive. Kanë luajtur mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Loja e mirë është shoqëruar me rezultate të mira. Kanë mundur Juventusin dhe Calhanoglu, që e kujtoj mirë sepse ka shënuar golin e parë ndaj nesh në ndeshjen e luajtur në Shkodër, është duke luajtur shumë mirë te Milani dhe së bashku me Ibrahimoviç e të tjerët mund të udhëheqin Milanin për të fituar titullin kampion e pwr tw luajtur në UEFA Champions League. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!