Nxënësit paraqesin punimet e tyre me materiale të ricikluara

schedule13:27 - 4 Maj, 2018

schedule 13:27 - 4 Maj, 2018

Nën moton “Ju mund”, dhjetëra nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit u bënë pjesë e konkursit për idenë më të mirë në ndërgjegjësimin e të rinjve për diferencimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre. Punët e tyre u paraqitën në një aktivitet në Parkun Rinia, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kultura për të mbajtur një qytet pastër fillon që nga bankat e shkollës.

“Një mentalitet i pastër, një kulturë që e do qytetin me higjienë, që kultivon ndjenjën e riciklimit dhe që e fillon këtë që nga bankat e shkollës, është një qytet që ka të ardhme”, u shpreh Veliaj.

Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të përbashkëta në qytet dhe u bëri thirrje që t’i jepet fund fenomenit të shitjes produkteve ushqimore në rrugë, në një kohë kur Bashkia e Tiranës ka ndërtuar tregje të reja me standarde në të gjitha njësitë e Tiranës.

“Ka disa të rritur që çfarëdo që të bësh thonë: ‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Ama, të gjithë e dimë se siç kemi rregulla në shtëpitë tona, ka rregulla edhe në qytet. Pra, trotuaret janë për të ecur, tregjet janë për të shitur; plehrat janë për t’u hedhur në kosh, semafori është për të respektuar qarkullimin, hapësira publike është për t’u shijuar nga të gjithë dhe korsia e biçikletave është vetëm për dyrrotakët”, tha Veliaj, duke shtuar se nëse një qytet i madh funksionon si një familje e mirë, atëherë të gjithë banorët do të mund të kenë një jetë dinjitoze.

Kryebashkiaku vlerësoi edhe kontributin e kompanive, të cilat gjithnjë e më shumë po marrin përsipër përgjegjësi sociale në të mirë të komunitetit.

“Unë e di sa e vështirë është të jesh mësues. Në fakt një mësues nuk është vetëm dikush që jep një lëndë mësimi, është edhe psikolog, edhe mentor, edhe këshilltar, edhe dikush që të dëgjon, është një shpatull ku mund të mbështetesh, edhe dikush që të jep dorën. Ndaj kam shumë respekt për mësueset sepse nuk njoh një njeri që mund të transformojë jetën e një fëmijë, një të riu, më shumë se sa një mësues apo mësuese”, tha Veliaj.

Më pas, kryebashkiaku i Tiranës dhe Administratori i Eco Tirana, Diego Testi shpërndanë çmimet fituese për shkollat e kryeqytetit, të cilat kishin paraqitur idenë dhe punimet më të mira. Edicioni i dytë “Ju mund” u shtri në të gjitha shkollat e qytetit, për t’i lejuar nxënësve të grupmoshave të ndryshme të shprehnin idetë e tyre për mbajtjen pastër të ambientit dhe kategorizimit të mbeturinave./abcnews.al