Presidenti Ilir Meta ka mbështetur qëndrimin e Bashkimit Evropian për të mos njohur zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i shtetit shkruan se “qytetarët e Bjellorusisë meritojnë sa më parë të shprehin verdiktin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik.”
Postimi i plotë:
“Mbështes qëndrimin e Bashkimit Europian për të mos njohur zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi.
Qytetarët e Bjellorusisë, ashtu si në të gjitha vendet nën regjim autokratik, meritojnë sa më parë të shprehin verdiktin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik. ”
Kujtojmë këtu se anëtarët e Këshillit Europian kanë theksuar, se nuk do t’i njohin zgjedhjet e 9 gushtit në Bjellorusi, pasi nuk ishin të lira. KE ka dënuar po ashtu dhunën ndaj protestuesve, duke e quajtur jopoporcionale dhe të papranueshme. /abcnews.al/