Ka reaguar Partia Demokratike përmes kryetarit të grupit parlamentar. Përmes një postimi në Facebook, Edmond Spaho e konsideron farsë turin e llogaridhënies publike të kryeministrit, pasi Rama sipas tij, e sheh veten si në vitin 2013, e jo që qeveris prej pesë vitesh. “Drogë, krim, korrupsion dhe 0 premtime të mbajtura, është bilanci 5 vjeçar i Edi Ramës”, sipas Spahos.
Kreu i grupit parlamentar demokrat shkruan se Rama e do aq shumë vettingun, sa prokuroren e përgjithshme e zgjodhi pa vetting, ndërsa drejtësinë e ka për të mbrojtur ministrat, e kryebashkiakët e tij të korruptuar.
Sipas Spahos, Rama nuk i hedh dot më hi syve qytetarëve dhe protestat e nisura, tregojnë se durimi i qytetarëve ka sosur dhe fundi i kryeministrit po vjen me shpejtësi. /abcnews.al