Pas situatës së rëndë që po kalojnë mijëra shqiptarë në Pikën Kufitare të Kakavijës dhe pas humbjes aksidentale të jetës së fëmijës 10 vjeç që priste në radhët e gjata me familjen, ka reaguar Komuniteti Shqiptar i Selanikut.
Duke ngushëlluar familjen nga Lezha të fëmijës së aksidentuar, Komuniteti Shqiptar i Selanikut njofton se, do të ndërmarrë protesta në Selanik dhe mbarë Greqinë.
Njëherësh, i kërkon Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe autoriteteve tona, masa të menjëhershme, që kjo situatë të marrë fund sa më parë.
“KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT
D e k l a r a t ë
Duke i shprehur ndjenjat më të thella ngushëlluese familjes se vogëlushit S. N. që humbi jetën aksidentalisht në Kakavijë, Komuniteti Shqiptar i Selanikut deklaron:
- Kërkojmë zyrtarisht nga shteti shqiptar dhe konkretisht nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, Ministri i Diasporës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë të informojnë publikun për masat e marra në përballimin e situatave të paralajmëruara dhe të pritshme për shkak te COV-19 në pikat kufitare me Greqinë.
- Kërkojmë të informohemi për hapat e ndërmarra nga përfaqësitë tona diplomatike ne Athinë, Selanik dhe Janinë në ndihmë të qytetareve shqiptarë. Roli i përfaqësive diplomatike nuk është ai i Zyrave të Gjendjeve Civile, dhe në formën e tyre me të keqe.
- U kërkojmë edhe një herë qytetarëve shqiptarë që të shmangin lëvizjet për në Shqipëri në këtë periudhë kritike të koronavirusit.
- Diaspora shqiptare, dhe veçanërisht ajo në Greqi, ka arritur gjithshka me sakrificat e saj dhe nuk duhet të lejojë të abuzohet me të nga askush, për arsye politike, gjeopolitike apo korruptive.
- Në kushtet e paaftësisë totale të organeve tona shtetërore dhe diplomatike në përmbushjen përgjegjësive të tyre Kushtetuese, Komuniteti Shqiptar i Selanikut paralajmëron se do ndërmarrë protesta ligjore dhe qytetare në mbrojtje të dinjitetit njerëzor të diasporës shqiptare në Selanik dhe gjithë Greqinë.
Ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohen për zgjidhjen e problemeve tona jetësore.
KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT
15 gusht 2020″.
/abcnews.al