Dy futbollistë pozitivë me koronavirus tek Atletico Madrid. Mbrëmjen e djeshme lajmi u bë i ditur në të gjitha mediat spanjolle, ndërkohë që nuk ishin zbuluar emra. Sot vetë klubi kryeqytetas ka zbuluar se cilat janë ata që janë infektuar.
Bëhet fjalë për Angel Correa dhe Sime Vrsaljko, të cilët duhet të izolohen dhe të presin testet e radhës për të mësuar nëse e kanë kaluar koronavirusin apo jo. Klubi i Atletico Madrid, përmes rrugëve zyrtare të komunikimit, ka dalë me deklaratën e mëposhtme.
“Ekipi i parë dhe anëtarët e stafit teknik iu nënshtruan dje testeve të reja PCR, rezultati i të cilit ishte negativ për të gjithë. Kjo ndodhi pas shfaqjes së dy rasteve pozitive në testet e kryera të shtunën. Sipas protokollit shëndetësor, testet e lartpërmendura u kryen edhe për të afërmit e dy rasteve pozitive.
Edhe ato gjithashtu ishin negative. Stafi mjekësor i klubit ka marrë autorizimin për të zbuluar identitetin e dy lojtarëve, me qëllim që të shmangen spekulimet: skuadra e parë do të kthehet në stërvitje këtë pasdite me mungesën e Angel Correa, i cili do të mbetet i izoluar në shtëpinë e tij dhe është asimptomatik.
Sime Vrsaljko, i cili po merrte veten nga një dëmtim dhe po punonte veçmas, është asimptomatik dhe do të mbetet në shtëpi me vendim të stafit, megjithëse çështja e tij tani konsiderohet e zgjidhur nga autoritetet shëndetësore, pasi ai gjeneroi antitrupat disa muaj më parë. Mjekët do të mbikëqyrin përparimin e të dy lojtarëve, siç përcaktohet nga protokolli shëndetësor”.