“Me shqiptarët duhet kujdes”, trajneri i Dinamo Tbilis skanon Tiranën

schedule15:20 - 9 Gusht, 2020

schedule 15:20 - 9 Gusht, 2020

Kakhaber Chkhetiani, trajneri i Dinamo Tbilisi, vlerëson Tiranën si kundërshtare të tyre në turin e parë kualifikues të Champions League. 42-vjeçari gjeorgjian ka folur për “live.ge” dhe thekson se ekipet shqiptare nuk dorëzohen, ndërkohë që nga ana tjetër i gëzohet faktit që do të luajnë në shtëpi dhe gjithçka do të vendoset në një ndeshje.

“Kemi mësuar së fundmi kundërshtarin tonë dhe me informacionet e mbledhura, bazuar mbi to, mund të themi është një ekip i mirë dhe me përvojë. Ata lanë pas tyre Kukësin në kampionat, një ekip i njohur për ne.

Përveç kësaj, ata kanë shtatë të huaj në ekip, përfshirë një anglez, një brazilian dhe një argjentinas. Tiranës nuk i mungon as tradita, pasi është klubi më i titullar në Shqipëri”, shprehet fillimisht  Kakhaber Chkhetiani. “Në të shkuarën kam luajtur dhe kam fituar kundër një ekipi shqiptar. Tirana ka stil tjetër loje.

Ajo që kam mësuar kundër skuadrave shqiptare, është se nuk duhet të ndalesh edhe pasi ta fitosh ndeshjen e parë. Ata janë të aftë të luajnë edhe në ndeshjen e dytë dhe ta kthejnë gjithë skenarin. Tani është me një ndeshje dhe duhet ta kalojmë atë, pasi përfaqësojmë jo vetëm Dinamon dhe Tbilisin, por gjithë Gjeorgjinë”, shton Chkhetiani.

Në fund tekniku Dinamo Tbilis deklaron: “Është diçka e keqe që nuk do t’i kemi tifozët në krah, pasi ata janë një motivim shtesë dhe burim emocionesh për futbollistët. Sidoqoftë është mirë që po luajmë në shtëpi dhe nuk do të kemi nevojë të udhëtojmë dhe të përshtatemi me një mjedis të ri”. /abcnews.al