Mbrëmja e djeshme nuk ishte më e mira për Juventusin, pasi të besuarit e Maurizio Sarrit nuk arritën dot të kualifikoheshin në çerekfinalet e Champions League. Direkt pas eliminimit, mediat italiane filluan të aludojnë për stolin juventin. Sarri nuk e ka më të sigurt qëndrimin për sezonin e ardhshëm.
Presidenti Agnelli deklaroi pas ndeshjes se do t’i duhen disa ditë për të analizuar sezonin që Juventusi kaloi, pasi klubi i tij u konfirmua sërish kampion në Itali. Deri më tani janë tre emra kryesorë për pankinën bardhezi.
I pari dhe më i përfoluri është ish-trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, madje thuhet se bisedimet kanë nisur. Argjentinasi vazhdon të jetë pa ekip dhe një ofertë nga Serie A mund ta tundojë atë. Alternativa e dytë është Zinedine Zidane.
Tekniku i madrilenëve arriti të fitojë La Ligës me madrilenët, por dështoi në Champions. Ndoshta një rikthim te Juventusi, ku fitoi gjithçka si lojtar, mund ta joshë francezin.
Opsioni i fundit për bardhezinjtë është trajneri i Lazios, Simone Inzaghi. Italiani kaloi një sezon të shkëlqyer me lacialët dhe ishte ai arkitekti që riktheu ekipin kryeqytetas në Champions. Megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare dhe në ditët në vijim pritet dhe vendimi që Agnelli do të marrë së bashku me drejtuesit e tjerë për stolin. /abcnews.al