Juventusi fiton sfidën dramatike me Interin në “San Siro”

schedule10:57 - 29 Prill, 2018

schedule 10:57 - 29 Prill, 2018

Juventusi hodhi një hap të madh drejt mbrojtjes së titullit kampion në Serinë A. Kampionët në fuqi fituan në fushën e Interit, duke lënë pas disfatën e pësuar javën e kaluar me Napolin.

Kampionët nuk dorëzohen kurrë.

Ata mund të humbasin një betejë, por jo luftën, dhe Juventusi tregoi pikërisht në sfidën më të vështirë se nga çfarë brumi është gatuar.

Formacioni i trajnerit Masimiliano Alegri fitoi 3-2 në “San Siro” ndaj Interit, duke lënë pas disfatën e rëndë ndaj Napolit, e duke mbajtur vendin e parë në Serinë A, edhe këtë javë.

Në pjesën e parë u duk sikur po shikohej një film i transmetuar kushedi sa herë.

Edhe pse vendasit kishin mundësinë t’i prishnin punë ekipit që urrenin më shumë, sërish u dukën të pazotë për ta bërë.

Juventusi kaloi shpejt në epërsi, dhe pas pak minutash pati edhe avantazh numerik.

Tensioni I madh I ndeshjes bëri që gjyqtari Orsato t’i drejtohej disa herë teknologjisë, VAR.

E bëri për rastin e golit të Dagllas Kostës, që u quajt i rregullt, dhe po ashtu për ndërhyrjen e Vesinos ndaj Manxhukiçit që u vlerësua për karton të kuq.

Skuadra e trajnerit Spaleti u duk se mori goditjen e nokautit në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Matyidi shënoi golin e dytë për Juven, por teknologjia këtë herë ishte mike.

Rrjeta u anulua, dhe ndoshta kjo ishte pika e kthesës.

Çfarë ndodhi në pjesën e dytë?

Me siguri, Spaleti u foli lojtarëve në pushim, dhe po ashtu ata ndjenë përgjegjësinë përpara dhjetëra mijë tifozëve të “San Siros”.

Juventusi ndoshta e quajti ndeshjen të fituar dhe gaboi.

Në të vërtetë, mbrojtja juventine nuk ishte ajo e ditëve më të mira dhe ky ishte një shkak tjetër.

Alegri ishte detyruar të linte në stol Kielinin, ndërsa kishte zgjedhur Barxalin përpara Benatias si titullar.

Ndoshta ishte koincidencë, por pikërisht Barxali e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij, duke I dhënë avantazhin Interit.

Kampionët provuan edhe hedhjen në fushë të Paulo Dibalës, por kthesa erdhi vonë.

Autogoli i Shkriniarit, tri minuta para fundit, shmangu humbjen, por sërish vendi o parë nuk ishte I sigurt, pasi Napoli mund të dilte i pari nëse fitonte në fushën e Fiorentinës.

Kampionët duan ta kenë në dorë vetë fatin e tyre dhe kështu bëri Juventusi, që luftoi deri në fund për fitoren dhe e gjeti, edhe pse me autogol.

Vendosi ai prej të cilit pritej, Gonzalo Higuain i blerë për 90 milionë euro, dhe që kishte shumë ndeshje pa shënuar.

Argjentinasi ndoshta realizoi golin më të rëndësishëm të sezonit, me asistin e Dibalës dhe skuadra e Alegrit kaloi provën e parë tepër të vështirë, drejt titullit të 7-të kampion radhazi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!