Rusia, fushatë keqinformimi në dëm të Perëndimit

schedule21:51 - 27 Prill, 2018

schedule 21:51 - 27 Prill, 2018

Një raport i mazhorancës republikane në Kongresin amerikan shfajëson presidentin Trump nga akuzat për lidhje me Kremlinin gjatë fushatës elektorale, por fajëson Rusinë për një fushatë agresive keqinformimi në dëm të Perëndimit.

Për më shumë se një dekadë, Rusia është angazhuar në një luftë keqinformimi kundër vendeve të Perëndimit. Kështu thuhet në një raport të Komitetit të inteligjencës pranë Kongresit amerikan, i publikuar të premten pasi mazhoranca republikane deklaroi të mbyllur procesin hetimor mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në raport thuhet se gjatë hetimeve nuk është gjetur asnjë provë që të vërtetojë lidhjet e stafit elektoral të presidentit Donald Trump me Kremlinin. Por nga ana tjetër, stafi i kreut të shtetit kritikohet për bashkëpunim me portalin Wikileaks, që gjatë fushatës publikoi materiale që dyshohet se ishin siguruar nga Rusia, përmes sulmeve të saj kibernetike.

Në dokument Wikileaks konsiderohet një organizatë e huaj armiqësore, aktiviteti i të cilës bie ndesh me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, opozita demokratike në Kongres ka kritikuar raportin dhe mazhorancën republikane se ka zgjedhur të mos kryejë hetime serioze dhe të bëjë sikur nuk sheh provat që sugjerojnë të kundërtën.

Ndër të tjera, në raport kritikohet FBI për një qasje të gabuar ndaj viktimave të sulmeve kibernetike ruse, përfshirë këtu Komitetin Kombëtar Demokrat, nga i cili thuhet se u vodhën materiale kompromentuese në dëm të rivales së Trump, Hillary Clinton./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!