Arsenali ia doli të fitonte një trofe pas tre viteve. “Topçinjtë” mposhtën 2-1 Chelsea ditën e djeshme dhe fituan FA Cup, duke siguruar edhe pjesëmarrjen në Europa League për sezonin e ardhshëm. Një hakmarrje kundrejt “Bluve të Londrës”, që sezonin e kaluar fituan 4-1 kundër Arsenalit në finalen e Europa League.
Pierre-Emerick Aubameyang realizoi dygolëshin e fitores, duke u konfirmuar si lojtari më i rëndësishëm i ekipit. Mikel Arteta, i cili po zhvillon një punë fantastike në stolin e Arsenalit, u ndal tek e ardhmja e kapitenit në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.
“Pierre e di se çfarë mendoj për të. Unë dua të ndërtoj Arsenalin e së ardhmes rreth tij. Mendoj se ai dëshiron të qëndrojë me ne dhe është vetëm çështje kohë arritja e akordit për rinovimin e kontratës.
Këto momente të bukura që po kalojmë do e ndihmojnë të kuptojë se jemi në rrugën e duhur dhe ai është pjesë e madhe e këtij suksesi. Të gjithë në klub e duan. Shpresoj të vazhdojë me Arsenalin, kam besim se do të rinovojë“, deklaron trajneri spanjoll.
Sulmuesi nga Gaboni ka një kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm me klubin londinez, që po bën maksimumin për të zgjatur bashkëpunimin me të. Interesimi nga klubet e tjera është i madh, por tek Arsenali janë të bindur që goleadori do të vijojë të jetë pjesë e ekipit. /abcnews.al