Macron në Uashington, mesazh të fuqishëm në Kongres

schedule22:08 - 25 Prill, 2018

schedule 22:08 - 25 Prill, 2018

Shtetet e Bashkuara dhe Franca i kanë rrënjët në të njëjtën tokë. Ka qenë ky mesazhi i fuqishëm që presidenti francez Emmanuel Macron ka dhënë të mërkurën në Kongresin amerikan, ku mes të tjerash ka cilësuar nacionalizmin dhe vetizolimin si kërcënime globale.

Në vijim të vizitës së tij në Uashington, presidenti Emmanuel Macron ka mbajtur të mërkurën një fjalim në Kongres, ku e ka vënë theksin tek vlerat dhe historiku i përbashkët mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Franca ka marrë pjesë me zemër në dorë në historinë e këtij vendi të madh, që prej fillimeve të tij. Dy vendet tona janë rrënjosur në të njëjtën tokë”, ka thënë Macron.

Duke qëndruar në këtë linjë, shefi i pallatit Elize’ ka nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat sipas tij e kanë gjinezën në shekuj.

“Ne kemi ndarë së bashku historinë e të drejtave civile dhe për këtë më vijnë në mendje disa mijëra shembuj. Dikujt tjetër mund t’i shkojë mendja tek shkëmbimi i kulturave tona në shekuj”, ka thënë Macron.

Më pas ai ka folur për një çështje, që sipas mediave amerikane, zor se presidentit Trump do t’i pëlqente. Macron është ndalur tek nacionalizmi dhe izolacionizmi, të cilat i konsideroi fenomene të rrezikshme për prosperitetin global.

“Amerika është vendi që shpiku shumëllojshmërinë dhe duhet ta shpikë atë sërish për ta përshtatur me rendin botëror të shekullit të 21-të”, është shprehur Macron.

Ndonëse në mënyrë indirekte, kjo deklaratë e tij është konsideruar si referim ndaj politikave të Trump me parullën “Amerika e Para”. Më tej ai ka folur edhe për rëndësinë e mbrojtjes së ambjentit, duke shprehur bindjen se një ditë Amerika do të bashkohet sërish me Marrëveshjen e Parisit.

“Unë besoj në ndërtimin e një planeti më të mirë për fëmijët tanë. Disa njerëz mendojnë se industritë dhe vendet e punës që ato ofrojnë janë më të rëndësishme se ndryshimet e klimës. E kuptoj shqetësimin e tyre, por duhet të gjejmë një tranzicion të lehtë”, ka shtuar Macron./abcnews.al