Kukësi bëhet me trajner të ri dhe është Skënder Gega ai që do t’i drejtojë verilindorët në vazhdim. Ditën e sotme ai ka qenë në Kukës, ku ka drekuar me presidentin Safet Gjici. Palët kanë rënë dakord dhe pak minuta më parë klubi i Kukësit doli edhe me njoftim.
“Klubi i Kukësit njofton se trajneri i ri i skuadrës, do të jetë Skënder Gega, pasi palët kanë arritur ditën e sotme akordin.
Prezantimi i trajnerit të ri, do të bëhet ditën e hënë në sallën e konferencave në stadiumin “Air Albania”, në orën 11:00. Klubi i uron mirëseardhjen trajnerit Gega dhe suksese me ekipin tonë”, thuhet në njoftimin e Kukësit.
Gega ishte pranë verilindorëve edhe pas largimit të Shpëtim Duros, por marrëveshja nuk u gjet për disa arsye. Në fakt nuk ishte hera e parë që Gega e Kukësi nuk bien dakord. Këtë herë ishte “e treta e vërteta” dhe trajneri kampion me Partizanin vjet, do të nisë menjëherë nga puna. / abcnews.al