Xhaçka: Në 2018-n, trajtim i ri financiar për 8 mijë ushtarakë

schedule18:25 - 24 Prill, 2018

schedule 18:25 - 24 Prill, 2018

Në vitin 2019, mbi 8 mijë ushtarakë do të kenë një trajtim më të mirë financiar dhe një vëmendje të shtuar. Deklaratën, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e bëri në 67-vjetorin e krijimit të forcave ajrore.

Arma e Aviacionit Ushtarak Shqiptar mbushi 67 vjeç.  Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë fjalës  së saj në ceremoninë e posaçme të organizuar në  komandën e Forcës Ajrore vlerësoi si prioritet, ridimensionim e kësaj force në kuadër të reformimit të Forcave të Armatosura.

Në kushtet e sotme, duke vlerësuar situatën  e re të Sigurisë në rajon  dhe më gjerë, kemi përzgjedhur më të mirën e mundshme për vendin tonë,  duke zhvilluar forca dhe mjete ajrore me mision të dyfishtë: Mbrojtjen e sovranitetit, çka është më sublimja, por edhe ndihma ndaj çdo shqiptari në vështirësi. Edhe në tre vitet e fundit efektivët tanë të FA, kanë asistuar në shpëtimin e jetës  të më shumë se një mijë personave  në rastet e emergjencës”, u shpreh në fjalën e saj, ministrja Xhaçka.

Ministrja foli edhe për investimin që do të bëhet sa i përket instalimit të sistemit të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore shqiptare, për të cilën Shqipëria ka nisur punë me një prej kompanive më prestigjioze të industrisë ushtarake në botë.

Instalimi i sistemit të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore shqiptare, për të cilën ka nisur punë me një prej kompanive më prestigjioze të industrisë ushtarake në botë, do të jetë një komponent tjetër me rëndësi jetike, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe për të gjitha vendet partnere në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha më tej ministrja e Mbrojtjes.

Ministrja foli edhe për një trajtim më të mirë financiar, vitin e ardhshëm.

Jo vetëm investimi në teknologji, por edhe trajtimi profesional i efektivëve tanë janë objektiva të përcaktuara qartë për FA-të në tërësi dhe për Forcën Ajrore në veçanti. Në vitin 2019, falë angazhimit të Kryeministrit dhe të qeverisë Shqiptare, mbi 8 mijë ushtarak do të kenë një trajtim më të mirë financiar dhe një vëmendje të shtuar”, tha Xhaçka.

Në ceremoninë e zhvilluar, në Komandën e Forcës Ajrore, në Rinas morën pjesë drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ushtarakë , ish-aviatorë si dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës. Që prej krijimit, në Prill të vitit 1951 numërohen 41 pilotë, të cilët kanë humbur jetën gjatë kryerjes së misionit të tyre, e janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”./abcnews.al