Fier/ Vetëvritet polici brenda në komisariat, prej një javë frikë nga vetingu

schedule12:35 - 24 Prill, 2018

schedule 12:35 - 24 Prill, 2018

Një punonjës policie në Fier vrau veten me pistoletën e punës brenda në ambientet e komisariatit. Nuk dihen shkaqet për ngjarjen, por kolegët kanë raportuar se prej një jave, ai ishte në panik nga procesi i Vettingut. Edhe babai i viktimës mendon se ky është shkaku që djali vrau veten.

Vettingu në polici duket se ka shkaktuar viktimën e parë.

Burime të besueshme të Policisë së Fierit i treguan ABC News, që Kastriot Fafa, i cili u vetëvra me armën e shërbimit mëngjesin e kësaj të marte, prej një jave ishte në panik nga procesi i Vettingut.

Shqetësimin ai e ka shprehur tek kolegët e tij të afërt, duke u treguar atyre edhe dyshimet për ku mund të goditej gjatë verifikimit të punës. Të njëjtat burime thanë se 46-vjeçari, i cili më parë kishte punuar inspektor zone, i trembej dy firmave të dyshimta të hedhura për pajisje me pasaportë.

Kurse babai i viktimës, Shyqyri Fafa, tregon se i biri ishte i ngarkuar kohët e fundit nga dokumentacioni që i kërkonin për Vettingun, dokumente që nuk kishin lidhje me të.

“I bënin ca kërkesa të tepërta. Ç’i duhet atyre me pasaportën time. Unë jam pensionist. Shkoj në Greqi, vij nga Greqia si më do qejfi. Unë s’jam në kërkesë nga shteti. Vetëm kjo ka qenë se kanë ngarkuar shumë, shumë, shumë, jashtë mase, për Vetting-un”.  

“Kur bënim muhabet me të dëgjonim problemin e Vettingu-ut. Na kërkojnë disa dokumente që janë shumë të tepërta thonë. Certifikatë trualli, kërkonte certifikatë, pasaportën e të atit sa herë ka kaluar në Greqi. Ishin ca gjëra të kota për mendimin e tij”.  

Megjithatë, grupi hetimor ende nuk ka dalë zyrtarisht për shkakun e vetëvrasjes së Fafës, prej kohësh punonjës i policisë.
Dhjetë ditë më parë nga inspketor zone ishte caktuar punonjës policie në patrullën e shërbimit. Ka qenë kjo periudhë, kur edhe ka shprehur dyshimet dhe frikërat e tij.

Fafa është vetëqëlluar me puthitje në gjoks, në zemër dhe për këtë arsye nuk u dëgjua zhurma e të shtënës. Ka mbaruar turnin dhe ka shkuar të pushojë në fjetinen e policisë, pranë komisariatit, brenda rrethimit të drejtorisë.

Kolegët donin të hynin në dhomën, ku gjendej Kastrioti, por dera ishte e mbyllur nga brenda. I kanë thirrur nga dritarja, por kur panë se nuk reagonte, thyen derën dhe e gjetën të vrarë. 46-vjeçari kishte hequr këpucët, ishte shtrirë dhe kishte qëlluar me puthitje veten në kraharor, pranë zemrës./abcnews.al