“Situata është kritike”, Dasho në “Provokacija”: Cila ishte pika shkatërruese për epideminë në vend

schedule22:38 - 24 Korrik, 2020

schedule 22:38 - 24 Korrik, 2020

Vendosja e karantinës në vendin tonë në mars ishte vendim i duhur, por në muajt në vazhdim nuk ishte e nevojshme. Një muaj është i mjaftueshëm për të marrë masa inteligjente për menaxhimin e krizës.

Kështu është shprehur eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, i ftuar këtë të premte në “Provokacija”.

Duke folur për sistemin shëndetësor, Dasho u shpreh se reflekton shkallën e zhvillimit të shoqërisë ndërsa shtoi se në spitalet tona ka mungesë të theksuar të burimeve njerëzore.

Sipas tij, ky sistem duhet të jetë autonom ndërsa shton se mjekëve duhet t’u kthehet prestigji.

“Sistemi shëndetësor reflekton shkallen e zhvillimit te shoqërisë. Kemi sfidë mungesën e mjekëve. Unë në Shqipëri do të riktheja prestigjin mjekëve. Shëndetësia nuk behet pa burime njerëzore,” u shpreh ai.

Sipas Dashos, sistemi ynë shëndetësor aktualisht është “në nivele afrikane.”

Ekspert i Shëndetit Publik thotë se situata në vend është dramatike ndërsa shton se ministra e Shëndetësisë po e kupton vonë seriozitetin e situatës.

Dasho u shpreh: “Situata është  dramatike. Ministrja është terrorizuar me vonese. Problemi është te ata që e këshillojnë gabim. Po e kupton se në çfarë situate kritike ka arritur epidemia. Unë e kam thënë që në maj se epidemia po del nga kontrolli. Jemi në mëshirën e virusit. Shpërthimi në QSUT ishte kambanë alarmi.  U thashë, kujdes se po hyn virusi në sistemin shëndetësor. Kjo ishte pika fatale ne Lombardi. Spitali është thembra e Akilit, kjo ishte pika shkatërruese për epideminë në Shqipëri.”

Sipas Dashos, një gjë tjetër që u bë gabim në menaxhimin e krizës në vend është se sistemi shëndetësor nuk u riorientua.

Më riorientim ai shpjegon se nënkupton përgatitjen e mjekëve dhe procedurave që duhet të ndiqen që nga pranimi e deri tek shtrimi i të dyshuarve për Covid-19. /abcnews.al/