Pishinat “mollë e ndaluar” për qytetarët, qeveria indiferente ndaj shqetësimit të bizneseve

schedule15:44 - 23 Korrik, 2020

schedule 15:44 - 23 Korrik, 2020

Maksi Rama, gazetar i ABC News

Edhe pse shumë aktivitetet të tjera janë rihapur prej disa javësh, pas mbylljes nga pandemia, pishinat konsiderohen  si “mollë e ndaluar”.

LEXO edhe: Pandemia e Covid-19 në Kosovë, pishinat konsiderohen anti-stres: Hyrje falas për ata që nuk paguajnë dot

Teksa temperaturat e korrikut shënojnë 40 gradë, qytetarëve do t’u duhet të gjejnë mënyra të ndryshme për t’u freskuar në pamundësi për të përdorur pishinat.

Menaxherët e resorteve që kanë edhe pishina në kryeqytet, shprehen se i janë drejtuar me shkresa Ministrisë së Shëndetësisë e qeverisë se kur do rihapet ky aktivitet, por ende pa përgjigje.

Lexo edhe: Valteri: Bizneset që kanë lidhje me politikanët mbajnë pishinat hapur

Kërkesat janë të shumta për shfrytëzimin e tyre, por për sa kohë pishinat vijojnë të jenë të mbyllura, dëmet financiare janë të mëdha

“Vendimi i qeverisë nuk ka sens, pasi na dëmton shumë biznesin tonë. Kemi marrë punëtorë, jemi përgatit për sezonin, kemi investuar shumë, për pishinën, për hotelin. Klientët që prenotojnë dhomat, e kanë të përfshirë në çmimin e dhomës edhe larjen në pishinë dhe janë shumë të pakënaqur e largohen. Me këtë punë po shkojmë drejt falimentimit. Nuk kemi mundësi financiare për të paguar punëtorët, një pjesë prej tyre i kemi larguar,” u shpreh Besnik Braha, menaxher hoteli dhe pishine.

Deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri i kërkoi kreut të Kuvendit të ndërhyjë për ndryshimin e aktit normativ, pasi sipas tij pronarët e bizneseve dhe pishinave që kanë miq i mbajnë hapur ato, ndërsa të tjerët rrethohen nga policia.

Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë, disa ditë më parë në ABC News deklaroi se Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke përgatitur një protokoll për këto aktivitete për t’i rihapur, edhe pse tashmë jemi në fund të korrikut. /abcnews.al/