Bankat shtrëngojnë kushtet e kreditimit, BSH: Shkak, pasiguria për ecurinë ekonomike nga pandemia

schedule16:28 - 21 Korrik, 2020

schedule 16:28 - 21 Korrik, 2020

Pandemia ka detyruar bankat e nivelit të dytë që të forcojnë kriteret për dhënien e kredive.

Në një raport të Bankës së Shqipërisë theksohet se  gjatë periudhës prill –qershor  kreditimi ka qenë i zbehtë. Pasiguria për shkak të situatës së krijuar  nga mbyllja e aktiviteti ekonomik ka bërë që bankat të aplikojnë  standarde më të shtrënguara edhe në kreditë e dhëna individëve përfshirë ato për blerje banese.

Ashpërsimi i kritereve u ndikua veçanërisht nga perceptimi i bankave për rrezik të shtuar lidhur me situatën ekonomike dhe perspektivën për të, aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me kolateralin.

Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ishte faktor i rëndësishëm në  vendimet për kredititmin e ekonomisë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Sipas Vrojtimit të Bankës së Shqipërisë edhe kërkesa për të marrë kredi nga ana e biznesve  apo e qytetarëve ka pësuar rënie.

Kërkesa më e ulët për kredi ishte e shpërndarë në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit.

Gjithashtu, kërkesë e dobët u vlerësua si për kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Në tremujorin e tretë parashikohet që kushtet për dhënien e një kredie të jenë edhe më të forta.

Ndërsa të vetmet kërkesa për kredi në tremujorin e ardhshëm pritet të jenë për likuiditet ose për të bërë pagesat  të ndryshme , ndërkohë që  ajo për investime pritet sërish në rënie.

I vetmi faktor që ka ndikuar pozitivisht në kredidhënie gjatë këtij muaji rezulton të jetë skema e garancisë sovrane, ofruar nga qeveria shqiptare në mbështetje të sektorëve të prekur prej efekteve negative nga Covid-19./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!