Gratë sipërmarrëse në Shqipëri do të kenë më shumë mundësi për të siguruar financim nga bankat për zhvillimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.
Shqipëria është bërë pjesë e një nisme globale për Financimin e Grave Sipërmarrëse, e mbështetur edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Guvernatori Gent Sejko tha se sfidë tashmë është të kalohet nga angazhimi te veprimi. Aktualisht financimi i grave sipërmarrëse në Shqipëri mbetet ende në nivele minimale krahasuar me bizneset që drejtohen nga burrat.
Drejtori i Institucioneve Financiare në BERZH, Francis Malige, tha se synim është që gratë me ide të mira biznesi të kenë akses më të lehtë në informacion dhe produkte financiare, për t’i kthyer këto ide në biznese të qëndrueshme.
“Barazia gjinore nuk është thjesht një qëllim në vetvete. Me këtë iniciativë mund të ndihmojmë për ndërtimin e një të ardhmeje sa më të mirë. Mendoj se duke mbështetur gratë kemi njohur sfidat që ende vazhdojnë. Femrat përballë meshkujve përballen me sfida të vazhdueshme. Të dhëna të tilla janë thelbësore për hartimin e strategjive. Nevojiten ndryshime të vazhdueshme dhe bashkëpunim i ngushtë”, tha Sejko.
Lançimi i “WE Finance Code Albania” shënon fillimin e një procesi afatgjatë, në të cilin institucionet nënshkruese do të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e të dhënave, për të monitoruar progresin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri. Kodi zbatohet aktualisht në mbi 30 vende të botës dhe numëron më shumë se 500 nënshkrues globalisht.

